
Komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se Shqipëria mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian edhe para vitit 2030, nëse vijon me ritmin e reformave dhe përmbush kriteret e kërkuara.
Në një intervistë për Atlantic Council, Kos theksoi se progresi i Shqipërisë dhe Malit të Zi është inkurajues, duke shtuar se Mali i Zi mund të jetë vendi i radhës që i bashkohet BE-së.
Duke folur për idenë e një “anëtarësimi të lehtësuar”, të përmendur në një letër të përbashkët nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, ajo u shpreh qartë se nuk mbështet një model të tillë.
“Nuk ka anëtarësim “light”. Ose je anëtar dhe atëherë i merr të gjitha të drejtat. Ose nuk je anëtar dhe nuk i merr të drejtat. Por sigurisht, e kuptoj këtë letër nga zoti Vuçiç dhe Rama, në kuptimin që nëse BE-ja do të ketë probleme, e dini, për të vazhduar me procesin e zgjerimit, ata do të ishin të kënaqur me diçka më pak.
Kjo është zgjedhja e tyre. Unë nuk e mbështes këtë, sepse roli im është t’i ndihmoj ato vende të bëhen anëtare të plota të BE-së. Rregulli i thjeshtë është ky: nëse një vend përmbush të gjitha reformat dhe kriteret, duhet të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian. Kështu është ndërtuar edhe Traktati ynë Evropian”, tha komisionerja Kos.
Sipas saj, detyra e Komisionit Evropian është të ndihmojë vendet kandidate që të arrijnë standardet e nevojshme për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.
and then