
Gazetarja Xhensila Kodra, e ftuar në studion e News24, ka dhënë detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë në Balldren të Lezhës, ku një çift bashkëshortësh u ekzekutua me armë zjarri në një atentat të dyshuar me sfond hakmarrjeje.
Sipas Kodrës, viktima Kreshnik Mujeci, kishte një histori të mëparshme me drejtësinë. Ai ishte arrestuar në vitin 2017, por më pas ishte shpallur i pafajshëm, ndërsa çështja u rigjykua dhe vetëm një vit më parë, në 2025, ai u la përfundimisht i lirë nga akuzat.
Gazetarja bëri me dije se autorët e dyshuar kanë lënë pas një sërë provash, ndërsa lidhjet mes tyre janë të qarta. Konkretisht, njëri prej autorëve dyshohet të jetë djali i Genc Mhillajt, i cili u vra në vitin 2016 dhe për vrasjen e të cilit ishte dyshuar më herët Mujeci. Ndërsa dy autorët e tjerë rezultojnë të jenë nipat e Genc Mhillajt, çka forcon pistën e hakmarrjes.
Sipas informacioneve, në momentin e atentatit autorët kanë qenë të pamaskuar dhe e gjithë ngjarja është fiksuar nga kamerat. Ata kanë lëvizur me dy automjete dhe kanë hapur zjarr në drejtim të një mjeti tip Audi Q7, ku ndodhej Kreshnik Mujeci së bashku me bashkëshorten e tij, duke i lënë të dy të vdekur në vend.
and then