Raporti i Avokatit të Popullit/ Kërkohet mbyllja e 5 burgjeve në vend! Deda: Kanë probleme me lagështirën, hapësirat dhe…

Avokati i Popullit ka lëshuar një alarm të fortë sa i përket kushteve skandaloze dhe sigurisë në burgjet shqiptare, duke sugjeruar mbylljen e menjëhershme të pesë prej tyre.

I ftuar në emisionin “Studio24”, komisioneri i Avokatit të Popullit, Besnik Deda, ka zbardhur detaje nga raporti zyrtar i institucionit që monitoron respektimin e të drejtave të njeriut në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Sipas Dedës, këto pesë burgje jo vetëm që nuk plotësojnë parametrat ndërkombëtarë të jetesës, por përbëjnë rrezik edhe për sigurinë.

Raporti i Avokatit të Popullit ka vënë në shënjestër disa nga institucionet më të njohura në vend, duke kërkuar nxjerrjen e tyre jashtë funksionit:

-Burgu i Burrelit

-Burgu “302” në Tiranë (Rruga “Mine Peza”)

-Godina A në IEVP 313 (Tiranë)

-Burgu i Kolonjës në Lushnje (IEVP Kolonjë)

-Burgu i Kukësit

Komisioneri Besnik Deda sqaroi se ky nuk është një vendim i momentit, por një analizë e hollësishme e bërë ndër vite. Ai renditi shkaqet kryesore që e bëjnë të detyrueshëm kyçjen e këtyre ambienteve.

“Kemi theksuar në raport se kushtet e sigurisë janë një prej elementeve për mbylljen e këtyre burgjeve. Shkaku kryesor është se këto institucione nuk përmbushin disa parametra kryesorë që kanë të bëjnë me hapësirën për akomodim, sipërfaqen e banimit, nivelin e lartë të lagështirës në këto ambiente, përbërjet e klasave që duhet të ketë çdo sektor, me hapësirat për zhvillimin e aktiviteteve dhe ato për ajrim. Nëse një institucion nuk i plotëson këto parametra, përbën kusht për mbylljen e tyre.”

Deda kujtoi se autoritetet kanë reflektuar edhe më parë ndaj rekomandimeve të tyre, duke sjellë si shembull mbylljen e disa prej burgjeve më famëkeqe apo të amortizuara në vend.

“Ne kemi rekomanduar mbylljen e burgut të Zaharisë (Krujë) dhe u bë transferimi i të dënuarve me probleme shëndetësore në IEVP Lezhë. Po ashtu, kemi rekomanduar mbylljen e IEVP-ve të tjera që nuk plotësonin parametrat për akomodimin dhe trajtimin e të burgosurve, siç ishin IEVP në Bënçë (Tepelenë) dhe në Sarandë”, përfundoi komisioneri në “Studio24”, duke lënë topin në derën e autoriteteve për të vepruar për 5 burgjet e radhës.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×