Rrugëtimi i Vllaznisë/ Shkodranët dorëzohen në sfidat që vlejnë titullin

Nëse gjatë sezonit të rregullt Vllaznia arriti të tregojë forcën dhe personalitetin e saj ndaj kundërshtarëve direktë për titull, në momentin më vendimtar të kampionatit kuqeblutë nuk kanë ditur të ruajnë të njëjtin ritëm. Pikërisht atëherë kur duhej bërë diferenca dhe duhej dhënë prova e vërtetë e karakterit të skuadrës, shkodranët janë shfaqur të brishtë dhe larg nivelit që kishin premtuar më herët.

Dy përballjet e fundit ndaj Dinamos dhe Egnatias kanë qenë një pasqyrë e qartë e rënies së ekipit të drejtuar nga Martini. Humbja 0-2 ndaj Dinamos dhe më pas disfata 1-2 përballë Egnatias kanë nxjerrë në pah jo vetëm problemet në rezultat, por sidomos mungesën e reagimit dhe ideve në lojë. Në të dyja sfi dat, Vllaznia u duk inferiore ndaj rivalëve direktë, pa forcën dhe agresivitetin që e kishte karakterizuar në momente të tjera të sezonit. Ajo që shqetëson më shumë tifozët shkodranë është fakti se skuadra nuk po jep aspak sinjale optimizmi në fushën e lojës.

Loja e vakët, mungesa e qartësisë në repartin ofensiv dhe pasiguria në mbrojtje kanë bërë që kuqeblutë të humbasin gradualisht terren në garën për titull. Në ndeshjet ku pritej të tregonin se ishin pretendentë seriozë, ata kanë dhënë përshtypjen e një skuadre pa energji dhe pa zgjidhje. Në futboll, titujt fi tohen pikërisht në duelet direkte me rivalët kryesorë dhe Vllaznia duket se po e paguan shtrenjtë këtë aspekt. Edhe pse gjatë kampionatit arriti të mbante ritëm me ekipet e kreut, rezultatet negative në përballjet vendimtare po i kushtojnë ndoshta objektivin më të madh të sezonit.

Diferenca tashmë është bërë e ndjeshme dhe besimi për një rikthim të madh po venitet nga java në javë. Tashmë, arritja e titullit duket thuajse një mision i pamundur për shkodranët. Jo vetëm për shkak të pikëve të humbura, por mbi të gjitha për mënyrën sesi skuadra po paraqitet në fushë. Dhe në fund, nëse Vllaznia nuk do të arrijë të shpallet kampione, shumëkush do ta lidhë këtë dështim pikërisht me përballjet direkte ndaj rivalëve të titullit, aty ku kuqeblutë nuk arritën të tregojnë forcën e një ekipi kampion.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×