
Kombëtarja gjermane vazhdon të dërgojë mesazhe pozitive vetëm pak ditë përpara startit të Kupës së Botës 2026. Në miqësoren e zhvilluar në Mainz, skuadra e Julian Nagelsmann dominoi nga fillimi në fund dhe triumfoi me rezultatin e pastër 4-0 ndaj Finlandës.
Gjermanët morën menjëherë kontrollin e lojës, duke ushtruar presion të vazhdueshëm mbi mbrojtjen kundërshtare. Rasti i parë i rrezikshëm erdhi që në minutat e para me Deniz Undav, i cili u ndal nga ndërhyrja e portierit Lukas Hradecky.
Pas disa tentativave të tjera, epërsia erdhi në fundin e pjesës së parë. Një aksion i ndërtuar bukur nga Joshua Kimmich përfundoi te Deniz Undav, i cili nuk gaboi përballë portierit finlandez dhe i dha avantazhin “Pancerëve”.
Me rikthimin në fushë pas pushimit, Gjermania ngriti edhe më shumë ritmin. Vetëm pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Undav përfitoi nga një gabim në prapavijën finlandeze dhe shërbeu Florian Wirtz, i cili realizoi golin e dytë të takimit.
Skuadra e Nagelsmann nuk u ndal me kaq. Në mesin e pjesës së dytë, një kundërsulm i shpejtë i udhëhequr nga talenti Lennart Karl nxori sërish në pozicion ideal Deniz Undav, i cili realizoi golin e tij të dytë personal dhe të tretin për Gjermaninë.
Festën e golave e mbylli Jamal Musiala. Mesfushori ofensiv përfitoi nga një asist i Alexander Pavlović dhe me një goditje të saktë nga jashtë zonës vulosi rezultatin përfundimtar 4-0.
Një paraqitje bindëse dhe një fitore që rrit moralin e katër herë kampionëve të botës në prag të aventurës së tyre në Botërorin 2026. Testi i radhës për Gjermaninë do të jetë përballja ndaj Shteteve të Bashkuara, e programuar për fundjavën e ardhshme.
and then