Rritja e çmimit të çipave prek edhe produktet e “Apple”/ Cook: Është e pashmangshme

“Apple” pritet të rrisë çmimet e produkteve të saj, pasi përballet me një rritje të ndjeshme të kostove të çipave të memories, komponentë thelbësorë për pajisjet inteligjente. Lajmi është konfirmuar nga drejtori ekzekutiv në largim i kompanisë, Tim Cook, i cili deklaroi se rritja e çmimeve është “e pashmangshme” për shkak të paqëndrueshmërisë së tregut të këtyre çipave.

Megjithatë, Cook nuk specifikoi se kur do të hyjnë në fuqi çmimet e reja dhe as cilat produkte do të preken. Ende nuk dihet nëse ndryshimet do të ndikojnë edhe te modeli i ardhshëm i iPhone 18, që pritet të prezantohet në muajin shtator.

Çipat e memories janë një element kyç në funksionimin e telefonave inteligjentë dhe pajisjeve të tjera elektronike. Sipas raportimeve, kërkesa në rritje për teknologjitë e inteligjencës artificiale ka ushtruar presion mbi furnizimin global, duke çuar në rritjen e çmimeve të tyre.

Në të njëjtën kohë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Apple ka rënë dakord të bashkëpunojë me prodhuesin e çipave Intel për prodhimin e çipave në territorin amerikan. Në një postim në platformën Truth Social, ai u shpreh se mbështetja për Intel synon forcimin e prodhimit vendas dhe zhvillimin e industrisë së çipave në Shtetet e Bashkuara.

Nëse planet e Apple zbatohen, konsumatorët mund të përballen me çmime më të larta për një pjesë të produkteve të kompanisë në muajt në vijim.

 

 



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×