
Egnatia nuk është më vetëm një skuadër që kërkon rezultatin. Pas javëve të para të aventurës europiane, kampionët e Shqipërisë po tregojnë shenja të qarta të një identiteti të ri, të ndërtuar mbi disiplinën taktike, organizimin dhe besimin te ideja e trajnerit Nevil Dede.
Rezultatet janë vetëm një pjesë e historisë. Përtej tyre, ajo që bie në sy është mënyra se si skuadra sillet në fushë. Egnatia tashmë duket një ekip që di çfarë kërkon, që nuk shpërbëhet në momentet e vështira dhe që është në gjendje të përshtatet sipas situatave të lojës.
EKIP KOMPAKT – Një nga elementët kryesorë të filozofisë së Dedes është ekuilibri. Egnatia nuk kërkon të luajë gjithmonë me rrezik, por të ruajë strukturën dhe të mos humbasë kontrollin e ndeshjes. Blloku i mesëm, distancat e shkurtra mes reparteve dhe ndihma që japin të gjithë lojtarët në fazën pa top janë kthyer në një nga pikat më të forta të skuadrës. Kjo i jep mundësi Egnatias të vuajë kur duhet, por edhe të dalë shpejt përpara sapo fiton topin. Pikërisht kjo ishte një nga kërkesat kryesore të Dedes: një skuadër që të dijë të mbrohet si grup dhe jo vetëm me individë.
KARAKTER DHE REAGIM – Një tjetër ndryshim i dukshëm është mënyra se si Egnatia reagon në momentet e vështira. Në përballjet europiane, skuadra ka treguar se nuk humbet qetësinë edhe kur situata nuk shkon sipas planit. Ndaj Çeljes, rrogozhinasit u gjendën në disavantazh, por nuk ndryshuan mënyrën e lojës. Vazhduan të kërkonin zgjidhje, ruajtën besimin dhe arritën të rikthehen në lojë. Ky është një tregues i rëndësishëm për një ekip që synon të konkurrojë në nivele më të larta. Megjithatë, identiteti i ri i Egnatias nuk do të thotë se gjithçka është perfekte. Në këtë nivel, diferencat shpesh bëhen nga detajet më të vogla. Përqendrimi në momentet kyçe, menaxhimi i avantazheve dhe shmangia e gabimeve individuale janë elementët ku skuadra duhet të vazhdojë të përmirësohet. Vetë Dede e ka theksuar se në Europë çdo gabim paguhet dhe se rritja e ekipit kalon edhe përmes këtyre situatave.
BESIM – Në pak kohë, Egnatia ka kaluar nga një skuadër që kërkonte të përshtatej me kërkesat e trajnerit të ri, në një grup që tashmë ka një mënyrë të qartë loje. Futbollistët e kanë përthithur idenë e Dedes dhe po e zbatojnë atë me më shumë bindje nga ndeshja në ndeshje. Sfida e radhës në Slloveni do të jetë një tjetër test për këtë identitet. Aty do të shihet nëse Egnatia mund ta shfaqë të njëjtën pjekuri edhe jashtë shtëpisë, por deri tani kampionët e Shqipërisë kanë dhënë një sinjal të qartë: kjo është një skuadër që nuk luan më vetëm për rezultatet, por edhe me një filozofi të përcaktuar.
and then