
Mbi 8 orë tension e kërcënime me jetën e tij dhe të vajzës që rrëmbeu, Shefi i Stacionit Policor Roskovec, Mariglen Koroveshaj rrëfen detaje nga aksioni për lirimin e Rozalinda Plakës që u mor peng nga ish-partneri, ndërsa konflikti me të i kushtoi jetën dy prindërve të saj.
Efektivi Koroveshaj, i cili negocioi me 35-vjeçarin Refit Buzi për orë të tëra thotë se i riu i kërkoi të mos afrohej më shumë se 2 metra pranë automjetit të tij, duke kërkuar me ngulm që ai të ishte i paarmatosur.
Me të zbatuar kërkesat e tij, efektivi Koroveshaj thotë se arriti ta bindte 35-vjeçaruin Buzi të lironte 24-vjeçaren, për të cilën bën me dije se kishte lëndime në trup nga copat e xhamit që ishin thyer gjatë masakrës me armë që ish-partneri kreu në shtëpinë e saj. Siç ka deklaruar më parë për News24, efektivi Koroveshaj thotë se Buzi ia besoi atij vajzën, ndërsa refuzoi të binte në ujdi me policin për t’u vetëdorëzuar.
“Unë jam afruar në vendin ku ai ndodhej dhe përsëri ka refuzuar ta lëshonte vajzën sepse e shikonte si garanci që mos t’i ndodhte gjë. Në ato momente më ka kërkuar që të afrohem i paarmatosur dhe i vetëm. E kam zbatuar kërkesën e autorit. Në momentin që i jam afruar, ka kërkuar sërish të më shikonte nëse jam i armatosur. E kam zbatuar kërkesën e tij, duhet të bënim çdo gjë që ai të mos agravohej apo acarohej më tepër sepse qëllimi ishte shpëtimi i jetës së tij dhe pengut”, thotë polici.
Pas këmbënguljes së Buzit, shefi i policisë u largua me Rozalinda Plakën, e cila më pas u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Fierit, pasi ishte në gjendje të renduar psikologjike.
“Në momentin që jam afruar më ka thënë mos bëj më asnjë lëvizje të afrohesh se do të vras veten. Jam tërhequr, kam bërë negociatat derisa është bërë e mundur që autori të lironte pengun. Ishte një moment i rrezikshëm, në ato momente mendon si të shpëtosh një jetë njeriu, çdo sekondë është vendimtare. Veprimet duheshin kryer sa më shpejt pasi gjendja e rënduar që ndodhej autori mund të agravonte dhe të rëndonte situatën. Kemi menduar për shpëtimin e jetës së vajzës”, rrëfen Korveshaj.
Pavarësisht negociatave, 35-vjeçari nuk u bind, duke i dhënë fund jetës, kurse viktimë e këtij konflikti që dyshohet se lindi për moskthimin e 180 mijë paundëve, mbetën edhe prindërit e Rozalindës, që u qëlluan nga ish-dhëndri me armë gjahu.
and then