
Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur masa dhe detyrime të reja ndaj operatorëve Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, pas përfundimit të hetimit të thelluar.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi i Komisionit të Konkurrencës synon korrigjimin e problematikave të evidentuara gjatë hetimit dhe rritjen e mbrojtjes së konsumatorëve, përmes më shumë transparence, mundësive të zgjedhjes dhe aksesit në paketa më të favorshme.
Autoriteti i Konkurrencës, gjatë periudhës së hetuar konstatoi rritje progresive dhe të përafërta të çmimeve, ngjashmëri te lartë ndërmjet paketave të operatorëve, reduktim i ofertave me çmime më të ulëta, si dhe mangësi në dokumentimin e kostove që justifikojnë ndryshimet tarifore.
Në bazë të vendimit datë 24.07.2026, Vodafone Albania dhe One Albania duhet që brenda 90 ditëve të ofrojnë paketa të veçanta dhe më të favorshme për pensionistët dhe studentët e moshës 18–23 vjeç.
Gjithashtu, operatorët duhet të garantojnë që paketat më ekonomike të jenë të disponueshme edhe në pikat fizike të shitjes dhe jo vetëm përmes aplikacioneve apo kanaleve digjitale.
Vendimi përcakton se abonentët, pas përfundimit të kontratës, duhet të kenë të drejtë të kalojnë në një paketë më të lirë, pa penalitete dhe pa pengesa të pajustifikuara.
Po ashtu, çdo ndryshim në çmim, përmbajtje apo vlefshmëri të paketave duhet t’i njoftohet individualisht abonentit, në mënyrë të qartë dhe të paktën 30 ditë përpara.
Autoriteti ka vendosur gjithashtu që çdo rritje çmimi duhet të mbështetet në analiza të dokumentuara të kostove, të cilat operatorët duhet t’i ruajnë për një periudhë pesëvjeçare.
Sipas vendimit, paketat e reja duhet të kenë diferencim real dhe të mos kufizojnë zgjedhjen e konsumatorëve, ndërsa kontratat tip duhet të marrin vlerësimin paraprak të Autoritetit të Konkurrencës për shmangien e klauzolave të padrejta.
Procedurat dhe afatet për bartjen e numrit nga një operator te tjetri duhet të përcaktohen qartë dhe në mënyrë të kuptueshme në kontratat me abonentët.
Autoriteti i Konkurrencës bëri të ditur se të gjitha detyrimet e vendosura do të monitorohen për një vit nga hyrja në fuqi e vendimit. Në rast moszbatimi të masave, Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA do të përballen me penalitetet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
and then