Mediat greke: Alket Rizai del në dosjen e një vrasjeje në burgun e Domokosit! Dëshmitë e vendosin në vendngjarje

Emri i Alket Rizait, i shumëkërkuari pas arratisjes nga burgu ku mbahej, është rikthyer në vëmendje në Greqi edhe për një tjetër çështje të rëndë.

Bëhet fjalë për vrasjen e një të burgosuri në burgun e Domokosit më 15 shkurt 2026, ku dëshmitë dhe materialet hetimore dyshohet se e vendosin Rizain në zonën ku ndodhi krimi.

Sipas televizionit grek SKAI, viktima, Antonis Papadatos, u vra me tre plumba brenda ambienteve të burgut. Për vrasjen është akuzuar një shtetas bullgar, i dënuar me burgim të përjetshëm, i cili ka marrë përsipër autorësinë e krimit.

Çështja, megjithatë, mbetet e hapur për sa i përket rrethanave të plota të ngjarjes. Në paraburgim ndodhet edhe drejtuesi i burgut të Domokosit, i cili ishte i pranishëm në momentin e vrasjes dhe më pas u mor në pyetje nga policia.

Dëshmitë që përmendin Alket Rizain

Sipas dëshmive të përfshira në dosje, Rizai dyshohet se ndodhej në zonën e burgut në momentin kur ndodhi vrasja. Një punonjës i burgut ka deklaruar se dëgjoi të shtënat dhe më pas pa Alket Rizain duke dalë nga zona e burgut të vjetër.

Në pamjet e kamerave të sigurisë, sipas raportimeve të SKAI-t, Rizai shihet duke lëvizur drejt zonës kryesore të burgut, i shoqëruar nga persona të tjerë.

Sipas kronologjisë së rindërtuar nga hetuesit, pak para vrasjes, i burgosuri bullgar i kërkoi Papadatosit të dilte nga qelia dhe ta ndiqte. Të dy kaluan nëpër korridoret që çonin drejt pjesës kryesore të burgut.

Më pas, në zonën e administratës, ndodheshin viktima, i burgosuri bullgar dhe drejtuesi i burgut. Sipas materialeve të publikuara nga mediat greke, kjo zonë konsiderohet një pikë e verbër e kamerave të sigurisë.

Aty, Papadatos u qëllua tre herë, një herë në pjesën e pasme të kokës dhe dy herë në fytyrë.

Pretendimi i autorit të dyshuar për vrasjen

I burgosuri bullgar, i cili ka marrë përsipër vrasjen, ka dhënë një version tjetër të ngjarjes. Sipas tij, Papadatos kishte tentuar të vriste drejtuesin e burgut me një revolver që e kishte fshehur në veshje.

Ai pretendon se ndërhyri për t’i marrë armën dhe se gjatë përleshjes ajo u shkrep, duke shkaktuar plagët fatale të Papadatosit.

Megjithatë, sipas raportimeve të medias greke, hetuesit dyshojnë se ngjarja mund të ketë qenë një ekzekutim i porositur dhe jo një incident i rastësishëm.

Rizai mohon përfshirjen

Vetë Alket Rizai ka mohuar të ketë qenë i përfshirë në vrasje. Ai ka deklaruar se nuk ndodhej në burgun e vjetër në momentin kur ndodhi krimi dhe se nuk kishte arsye për të ndërhyrë në një ngjarje të tillë.

Megjithatë, sipas raportimeve, gjatë hetimeve janë gjetur gjurmë gjaku në këpucët e tij dhe gjurmë baruti në rrobat e tij.

Sipas dosjes, Rizai nuk është akuzuar për vrasjen dhe në këtë çështje konsiderohet dëshmitar.

Ndërkohë, avokati i drejtuesit të burgut, Dimitris Gavelas, ka deklaruar se klienti i tij ndodhej në vendin e ngjarjes, por sipas tij nuk kishte mundësi ta parandalonte atë. Ai ka thënë se mbrojtja do të mbështetet në atë që rezulton nga dosja e çështjes.

Por Alket Rizai ende eshte në kërkim pas arratisjes

Emri i Alket Rizait është rikthyer në vëmendje edhe për shkak të arratisjes së tij nga burgu, ndërsa autoritetet greke vijojnë kërkimet për gjetjen e tij. Gjithashtu, ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në një incident me të shtëna në një bar plazhi në Anavyssos.

Sipas informacioneve të raportuara në Greqi, një prej pistave të hetimit lidhet me mundësinë që Rizai të ketë kaluar drejt Shqipërisë përmes veriut të Greqisë. Megjithatë, kjo mbetet një hipotezë e hetuesve dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×