
Drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni u pezullua nga detyra dhe u vendos nën masën e “arrestit shtëpiak” të martën, duke shkaktuar krizën më të rëndë në sektorin e sigurisë kombëtare për dekada.
Hyseni akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të përkrahjes së autorit të krimit dhe nxjerrjes së sekreteve shtetërore.
Sipas një burimi në dijeni të çëshjes, masat e sigurisë ndaj drejtoreshës së SHISH derivojnë nga hetimi që Prokuroria e Posaçme po kryen ndaj Ergys Agasit, i akuzuar për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme miratoi masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “arrest në shtëpi” për Hysenin.
Shërbimi Informativ Shtetëror është institucioni qendror i inteligjencës në Shqipëri dhe ka për mision mbrojtjen e sigurisë kombëtare, duke identifikuar dhe analizuar kërcënime që mund të prekin interesat kombëtare.
Hyseni e drejton SHISH-in që prej prillit të vitit 2023, kur u emërua jo pa debate nga kryeministri Edi Rama për shkak të shtetësisë kosovare dhe një shkarkimi të paqartë si numri 2 i shërbimit të inteligjencës kosovare.
Për të njëjtën dosje u paraqit në SPAK mëngjesin e së martës edhe ish-kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Nën hetim, mësohet se janë dhe disa punonjës policie dhe po punohet për ndalimin e tyre.
Proda u largua nga detyra në fillim të muajit mars, ndërsa drejtues të tjerë policie të emëruar prej tij u larguan nga funksionet e larta në korrik. Pak ditë pas këtyre lëvizjeve në organikën e drejtuesve të Policisë së Shtetit, filloi puna për ndalimin e Ergys Agasit, operacion që u finalizua më 26 gusht me arrestimin e tij.
Agasi u ndalua së bashku me Uljan Shpatarakun, një ish-drejtues i Policisë së Elbasanit.
Për më shumë se një dekadë, AKSHI menaxhoi një buxhet të stërmadh, ku vetëm në 19 procedura të hetuara nga SPAK u llogarit një fond limit prej 5.9 miliardë lekësh (rreth 59 milionë euro). Hetimi zbuloi se drejtoresha e AKSHI, Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi i kishin lënë këto fonde në duart e një grupi të strukturuar kriminal, duke paracaktuar fituesit dhe duke siguruar devijimin e dhjetëra milionë eurove drejt llogarive të biznesmenit të IT-së, Ermal Beqiraj dhe biznesmenit Ergys Agasi.
Ortaku i Agasit, Ermal Beqiraj u arrestua në Francë më 24 korrik, ndërsa po fluturonte me një avion të lehtë në një hapësirë ajrore të kufizuar mbi centralin bërthamor të Penly-t dhe u shoqërua nga forcat ajrore derisa u ul në aerodromin e Albertit në rajonin e Somme-s në veri të Francës.
Sipas SPAK, hetimet e mëtejshme të autoriteteve franceze identifikuan pasuritë e Beqirajt në Francë, të cilat dyshohet se kanë origjinë kriminale. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Beqiraj dyshohet se transferoi drejt Francës një pjesë të fitimeve të paligjshme me të cilat bleu një kështjellë, dy apartamente, mjete motorike dhe mbi 2 milionë euro i depozitoi në llogari bankare./BIRN
and then