Operacioni “Kufijtë” në Vlorë, arrestohen 2 persona që transportonin 6 emigrantë drejt kufirit me Greqinë

Dy persona janë arrestuar në Vlorë, pasi u kapën duke tentuar të transportonin kundrejt pagesës gjashtë emigrantë të huaj, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin për të vijuar më pas drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Operacioni i koduar “Kufijtë” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në kuadër të kontrolleve dhe hetimeve për parandalimin e veprimtarisë kriminale që lidhet me ndihmën ndaj shtetasve të huaj për kalimin e paligjshëm të kufirit.

Në pranga ranë shtetasit A. D., 50 vjeç dhe F. Ç., 59 vjeç, të dy banues në Tiranë. Ata u kapën në vendin e quajtur “Pagane”, pranë vijës kufitare me Greqinë, ndërsa ishin me dy automjete me të cilat, sipas Policisë, do të transportonin kundrejt pagesës gjashtë emigrantët. Gjashtë shtetasit e huaj, nga Pakistani, Bangladeshi dhe India, u proceduan penalisht, pasi rezultoi se kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar, duke kaluar kufirin tokësor me Greqinë.

Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi edhe dy automjetet që do të përdoreshin për transportimin e emigrantëve. Hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe të veprimtarisë së personave të përfshirë vijojnë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×