
Emisioni “Me zemër të hapur” në News24, me moderatore dhe autore Evis Ahmeti, ka trajtuar historinë e rëndë të një gruaje që denoncoi babain e saj për abuzim seksual, ngjarje që, sipas dëshmisë së saj, kishte nisur kur ajo ishte vetëm 9 vjeçe dhe kishte vijuar për vite me radhë. Ngjarja daton në gusht të vitit 2018, kur 61-vjeçari u arrestua pas denoncimit të vajzës, e cila në atë kohë ishte 25 vjeçe. Sipas dëshmisë së saj, abuzimi kishte nisur që në fëmijëri dhe kishte vijuar për rreth 16 vite.
Pas divorcit të prindërve, tre fëmijët e familjes, dy vajza dhe një djalë, kishin mbetur nën kujdesin e babait. Familja jetonte në Tiranë, në kushte të vështira, në një ambient të vetëm të përshtatur si banesë. Vajza ka rrëfyer se për vite me radhë e kishte mbajtur të fshehtë atë që, sipas saj, kishte përjetuar. Ajo ka treguar gjithashtu se në moshën 19-vjeçare kishte mbetur shtatzënë dhe se shtatzënia ishte ndërprerë.
Vendimin për të folur e mori më vonë, pasi ia rrëfeu historinë disa murgeshave. Sipas saj, njëra prej tyre e nxiti që t’i drejtohej policisë dhe të denonconte babain. Pas kallëzimit, 61-vjeçari u arrestua. Sipas burimeve të bëra publike në emision, gjatë marrjes në pyetje ai ka pranuar abuzimin dhe ka shpërthyer në lot, duke i kërkuar falje vajzës.
Ndaj tij u ngritën tre akuza: “Marrëdhënie seksuale me persona në gjini ose nën kujdestari”, “Marrëdhënie seksuale me të mitur” dhe “Dhuna në familje”. Në rrëfimin e saj për “Me zemër të hapur”, gruaja ka folur për fëmijërinë, marrëdhënien me familjen dhe vitet e vështira që, sipas saj, ka kaluar.
“I takoj nënën dhe vëllanë, por me motrat jam më e afërt. Nuk kam kontakte me asnjë nga njerëzit e babit dhe të mamit. Për mua fëmijëria ka qenë e keqe, s’kam pasur kurrë një ditë të lumtur. Vetëm sherr. Ai abuzoi. Fëmijëria ime ka qenë vetëm vuajtje. Ne e kishim shumë frikë. Marrëdhënia fëmijë-prind ka qenë e keqe, na dhunonte. U ndanë. Kam qenë 9 vjeçe kur abuzoi me mua.
I kam dhënë kurajo vetes. Tentoi dhe me motrën, por ajo iku. Më tha; hajde, por unë ndenja, nuk kisha guxim. Ndenja aty për 7 vite të tjera. Më abuzonte. Ëndrra ime është që të rris djalin, të kem një shtëpi për të. Ai kërkon babain e vet, por i ati s’ka pranuar.”, tha ajo.
and then