
Një rast i dyshuar i shitjes së lëndëve narkotike është goditur nga Policia në Elbasan, në kuadër të operacionit të koduar “Shitblerja”. Gjatë kontrollit në banesën e një 40-vjeçari u sekuestruan mbi 1 kilogram kanabis, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje, një armë gjahu, një peshore elektronike dhe shuma parash në lekë dhe euro. Policia ka shpallur në kërkim shtetasin K. N., 40 vjeç, banues në Elbasan, i cili dyshohet se posedonte lëndën narkotike me qëllim shitjen e saj në doza. Në momentin e ndërhyrjes, 40-vjeçari nuk ndodhej në banesë, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, sekuestruan 1 kilogram e 130 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza, si dhe një peshore elektronike.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua gjithashtu një armë gjahu që dyshohet se 40-vjeçari e posedonte pa leje, si dhe 71 700 lekë dhe 100 euro, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Në kuadër të operacionit u vunë nën hetim edhe dy persona të tjerë, të dyshuar se do të blinin lëndë narkotike. Ata janë B. D., 37 vjeç, dhe A. S., 20 vjeç, të dy banues në Elbasan. 37-vjeçari u kap në afërsi të banesës së 40-vjeçarit të shpallur në kërkim, ku dyshohet se kishte shkuar për të blerë doza droge. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e ftohtë, thikë.
Ndërkohë, në afërsi të banesës u kap edhe 20-vjeçari A. S., të cilit iu gjet një sasi lënde narkotike, që dyshohet se e kishte blerë nga K. N.
Operacioni “Shitblerja” u zhvillua nga strukturat e Policisë nën drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të masave për parandalimin dhe goditjen e rasteve të shitjes së lëndëve narkotike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
and then