“Lojtari më i mirë”, Leao: Titulli vetëm fillimi! Treguam se jemi më të fortët

Në ceremoninë e medaljeve ishte nga më gazmorët, por teksa shokët “shëtisnin” trofeun nëpër cepat me tifozë, Rafael Leao u kap nga kamerat në një moment emocioni. Përshëndetej nga publiku dhe takohej me familjarët, ndoshta pa e ditur se në gjashtë prezencat e fundit kishte kontribuar në shënimin e të paktën një goli. Tri pasimet vendimtare për suksesin ndaj Sasuolos ishin vetëm mbyllja e bukur e një sezoni ku shkëlqeu me 14 gola dhe 12 asiste në të gjitha kompeticionet, teksa për Serinë A u zgjodh si “Lojtari më i mirë” i sezonit.

LEAO 1

Sipas jush cili ishte momenti që bëtë hovin cilësor?

Që në fazën përgatitore e kam ndier veten si një lojtar tjetër. Kisha më shumë besim dhe jam i vetëdijshëm që mund të bëj diferencën në çdo takim. Sidoqoftë, golat dhe asistet nuk vlejnë përpara kësaj skuadre. Pioli ka pasur një meritë të madhe në rritjen time dhe në suksesin e arritur.

Shokët tuaj thonë se keni besuar gjithmonë?

Që në ditët e para të grumbullimit. Kemi punuar shumë dhe më duket e drejtë që të kthehemi në shtëpi me medalje.

Cilët janë objektivat tuaj?

Kam shënuar 11 herë në kampionat, por nuk jam lojtar egoist. E di edhe unë që duhet të bëhem më konkret. Mund t’ia dal duke punuar shumë e duke u stërvitur siç kam bërë gjithmonë.

Teo nuk përgjigjet kur e pyesin se cili mes jush është më i shpejtë?

Nuk kemi bërë kurrë garë në fakt. Ai është si tren dhe për mua është një lojtar i jashtëzakonshëm.

Keni pasur ndonjë mangësi gjatë sezonit?

Natyrisht. Nuk jemi të përsosur. Ndonjëherë na ka munguar pjekuria, por njerëz si Ibra dhe Kjaer na kanë ndihmuar me përvojën e tyre. Jemi një skuadër me moshë të re, por në fushë treguam se certifikata e lindjes nuk ka rëndësi.

Çfarë synimesh keni për të ardhmen?

Ndihem mirë në këtë skuadër. Jam i lumtur te Milani dhe në Milano. Kam ardhur në këtë klub kur isha shumë i ri dhe të gjithë më dhanë besim. Tani kam dëshirë t’ua shpërblej dhe mendoj se ky titull është vetëm fillimi.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×