
“I lindur në Ancona, por që ka vendosur të përfaqësojë Shqipërinë”, me këto fjalë e nis shkrimin “Calciomercato”, me portalin e njohur italian që i ka kushtuar një artikull të veçantë Cristian Shpendit i cili po shkëlqen në Serie B me fanellën e Cesena-s. Në 4 sezonet e fundit, me fanellën e Cesena-s, C.Shpendi ka pasur një rritje progresive duke i dhënë një dorë ekipit për të kaluar nga Serie C në Serie B dhe që këtë sezon ëndërron të ngjitet në elitën e futbollit italian. Falë paraqitjeve mbresëlënëse të Shpendit, ku në 13 javë ka realizuar 12 dhe ka dhuruar 1 assist, Cesena është futur në garë për të siguruar të paktën një vend në fazën “play-off”.
Në aspektin personal, Shpendi barazoi rekordin e tij personal më të mirë në karrierë, por që sezonin e shkuar këtë shifër e kapi me 37 ndeshje në dispozicion. Forma e shkëlqyer e Shpendin në mënyrë të papritur është kthyer një shqetësim pozitiv për Cesena-n pasi është thuajse e pamundur që ekipi ta mbajë më gjatë në skuadër.
Në janar, Cesena do të jetë në një pozicion delikat, të mbajnë Shpendin në skuadër dhe të synojë deri në fund ngjitjen në Serie A, apo të pranojë ofertën më të mirë ekonomike. Është e qartë se ekipi italian ka një varësi të jashtëzakonshme nga sulmuesi kuqezi pasi në 13 javë, Cesena ka shënuar në total 19 gola, 12 prej të cilave mbajnë firmën e Shpendit. Drejtuesit e klubit janë në pozita komode për të negociuar me çdo skuadër pasi sulmuesi kuqezi është nën kontratë deri në vitin 2028.
Dikur, në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, Shpendi është shprehur se frymëzohet nga lojtar si Karim Benzema, Lautaro Martinez dhe pa diskutim idhulli i tij, Cristiano Ronaldo.
Në shtëpinë e Cesena-s janë të qartë se kanë në dorë një sulmues të rrallë, ndërsa ofertat po vijnë nga të gjithë anët. Deri në këtë pikë të sezonit, të paktën gjysma e Serie A ka shfaqur interesim për C.Shpendin, ekipi si Fiorentina, Torino, Bologna, Sassuolo, Cagliari dhe Frosinone, janë gati në çdo moment të investojnë për kartonin e sulmuesit shqiptar.
Pak kohë më parë, Cesena vlerësonte kartonin e Shpendit me 10 milionë euro, por me këto numra dhe përballë një interesimi të tillë mund të rrisin kërkesat e tyre për të lënë të lirë Shpendin.
and then