Meta dekoron përkthyesin dhe analistin e shquar politik, Auron Dodi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Meta Dodi (2)

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot analistin politik, gazetarin, gjuhëtarin dhe përkthyesin e shquar zotin Auron Dodi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: “Me mirënjohje për kontributin e gjatë dhënë në mediat ndërkombëtare, për profesionalizmin e jashtëzakonshëm, thellësinë dhe saktësinë e analizave të tij, duke u shndërruar në një nga analistët politikë më të referuar e botuar në mediat shqiptare. Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm për hedhjen e urave gjuhësore midis personaliteteve historike të Gjermanisë dhe Shqipërisë, të punës së rrallë interpretuese e me besim të madh, për forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane.”

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh se Dodi ka një kontribut të shquar në ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes Gjermanisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

Ishte viti 1991, kur autoritet gjermane i kërkuan zotit Auron Dodit të hidhte urën e parë gjuhësore, midis personaliteteve të Gjermanisë dhe Shqipërisë, duke i ofruar të përkthente për Vili Brandin, ish-Nobelistin e paqes dhe ish-kancelarin e Gjermanisë.

Auron Dodi në atë kohë sapo ishte vendosur në Republikën Federale të Gjermanisë duke u larguar nga Shqipëria, ku punonte si lektor në Departamentin e Gjuhës Shqipe, të Fakultetit Histori-Filologji, punë në vazhdën e traditës së prindërve të tij të nderuar.

Kanë kaluar mbi 30 vite, kur ka nisur udhëtimi i tij i jashtëzakonshëm, si përkthyes personal i të gjithë kancelarëve dhe presidentëve federalë të Gjermanisë, dhe nga ana tjetër, si analist dhe eseist politik.

Si përkthyes i parë zyrtar për gjuhët shqipe dhe gjermane, i Kancelarisë Federale dhe i Presidencës Federale, Auron Dodi ka mundësuar komunikimin e personaliteteve historike të Gjermanisë, me të gjithë kryeministrat e presidentët e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Auron Dodi është i pandarë në tryezat shtetërore politike midis Gjermanisë dhe Shqipërisë, në negociata të nivelit më të lartë për marrëdhëniet politike, të drejtësisë, ekonomike, në bashkëpunimin e sigurisë dhe atë mbrojtjes midis dy vendeve.

Punën e Auron Dodit e gjen, ndër të tjera, si përkthyes marrëveshjesh shtetërore midis Shqipërisë, Kosovës e Gjermanisë; si redaktor fjalorësh dygjuhësh gjermanisht-shqip; si përgatitës të teksteve dhe kurseve për mësimin e gjermanishtes nga shqiptarët; si hartues zërash për Ballkanin në Enciklopedi të SHBA-së; si mësimdhënës i gjuhës shqipe për breza diplomatësh të Gjermanisë.

Fakti që qeveria gjermane, kancelarët, presidentët e këtij vendi, prej më shumë se një çerek shekulli, kanë komunikuar me ne, përmes Auron Dodit, na mbush me krenari, pasi dëshmon besim dhe vlerësim të rrallë për integritetin e një qytetari tonë.

Prej 30 vitesh, nga 1 qershori 1992, Auron Dodi i përcjell publikut shqiptar vlerat më të mira të Gjermanisë, edhe në një rol tjetër: si njëri nga themeluesit e Programit Shqip të ‘Deutsche Welle-s’, kompanisë multimediale ndërkombëtare në Gjermani.

Auron Dodi është bërë sot njëri nga analistët dhe eseistët politikë më të vlerësuar e të botuar në mediat shqipfolëse.

Ai ka shoqëruar ndryshime jetësore në botën shqiptare, në tre dekadat e fundit, duke ju bërë jehonë ndërkombëtare, me shkrime autoriale në gjermanisht.

Në ‘Deutsche Welle’, Auron Dodi është sot analist i temave të mëdha politike të Gjermanisë dhe Europës, të shkruara enkas për publikun shqiptar.

Ai ofron analiza dhe ese të mprehta e të thella, të shkruara me një stil konciz, për çështjet që preokupojnë Gjermaninë; për rolin e Gjermanisë në Bashkimin Europian dhe në botë; për ecurinë e ribashkimit të dy Gjermanive, si dhe çështje të tjera.

Puna e Auron Dodit vlerësohet lart në hapësirën shqipfolëse. Dëshmi për këtë është edhe fakti që analizat e Auron Dodit pas publikimit, i ribotojnë njëherësh dhjetëra media, gazeta, televizione, portale në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bashkimin Europian dhe Shtete e Bashkuara.

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×