Skuadra e Liverpulit që mundi Realin në finalen e Parisit 41 vite më parë duket një kujtim i largët. Por edhe ajo bëri një mrekulli, kur “Reds”-at triumfuan falë atij goli të Alan Kenedit. Ish-mbrojtësi i majtë tregon se sa shumë ka ndryshuar futbolli prej atëherë.
“Nuk kisha telefon në atë kohë. U transferova për 333 mijë paund dhe isha mbrojtësi më i shtrenjtë i Britanisë. U prezantova vetëm përpara 3 gazetarëve dhe vizitat mjekësore i kreva në dhomën e hotelit, me doktorin që po shijonte një uiski përpara se unë të vija dhe pasi më pa, më mati pulsin dhe tha: ‘Dukesh në rregull’. Gjithçka zgjati 60 sekonda”, tregon Kenedi për “DailyMail”, duke konfirmuar edhe kontrastin e futbollistëve me rrogat e sotme:
“Fitoja 200 paund në javë, 100 paund bonus për çdo pikë dhe 150 paund bonus për çdo ndeshje të fituar në Kupën e Kampioneve. Më duket se ma bënë 200 kur fituam finalen”. Kenedi, sot 67 vjeç, ishte 23 vjeç kur firmosi dhe plot pasiguri nëse do të largohej ndonjëherë nga Njukasëlli që ishte në krizë. Ishte lojtari që Bob Peisli firmosi pa bërë shumë llogari.
“Rei Kenedi ekzekutoi rivënien në minutën e 83-të të finales. Pashë një hapësirë dhe u zhvendosa për të tërhequr lojtarët e tjerë. Pastaj Kenedi ma hodhi mua topin, nuk mendoja kurrë që do të mbërrinte tek unë. As nuk e kërkova, por ai u ul në mënyrë perfekte në kraharorin tim, mbylla sytë dhe godita”. Sot Klop do të ketë një emër të madh në pozicionin e tij: Endi Robertsonin, i cili bashkë me Arnoldin janë dy prej armëve më të forta të Liverpulit modern.
“Bob Peisli u kushtonte shumë rëndësi lojtarëve të krahut, por detyra jonë parësore ishte të mbronim. Kishte disa klube si Junajtidi me lojtarë shumë të fortë si Gordon Hill dhe Stiv Kopell në krahë. Trent dhe Endi janë ekzaktësisht ata që ne ishim 40 vite më parë. Do të doja që Arnoldi të godiste pak më shumë sepse ai e ka atë aftësi”.
Arena e Lajmit

Loading…