Kampionati Europi an i Peshëngritjes “Tirana 2022” është hapur zyrtarisht dje pasdite me ceremoninë e zhvilluar në sallën “Feti Borova” të Parkut Olimpik në kryeqytet. Një edicion i jubilar, i 100-ti për shtangën kontinentale, me Tiranën që bëhet kryeqyteti europian i peshëngritjes për vitin 2022.
Fillimisht në sfond vihet himni europian i peshëngritjes, që pasohet nga himni ynë kombëtar dhe pas tyre 39 federata pjesëmarrëse në këtë event parakaluan me flamujt e tyre kombëtarë, duke bërë prezantimin e shteteve pjesëmarrëse. Ndërsa u shfaq një video ku pasqyroheshin arritjet më të shkëlqyera të peshëngritjes sonë në eventet europiane botërore, duke e elektrizuar sallën. U dhanë edhe tre trofe për sportistët Lasha Talakhadze, Loredana Toma dhe Lidia Valentina Perez.
ELEZ GJOZA
Në fjalimin e tij, ndër të tjera, kreu i FSHP-së, Elez Gjoza, tha: “Dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata organizatorë, vullnetarët, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për të siguruar një organizim të përsosur të këtij eventi. Gjithashtu, dua të falënderoj kryebashkiakun Veliaj që ka dhënë kontributin e tij, duke na u bërë mbështetësi kryesor për organizimin, mbarëvajtjen dhe investim për të kurorëzuar me sukses këtë event. Ky është një edicion jubilar për Federatën Europiane, pasi përkon me 100-vjetorin e Kampionateve Europiane. Është një ditë e lumtur për ne shqiptarët. Dua të falënderoj të gjithë krerët e federatave pjesëmarrëse të cilët pranuan që eventin më të rëndësishëm europian të 100-të ta zhvillonin në Shqipëri”.
ERION VELIAJ
Ndërkohë, kryebashkiaku i Tiranës, një prej faktorëve të rëndësishëm për marrjen e këtij eventi, deklaroi: “Një falënderim shkon për Komitetin Olimpik, që e ka kthyer Tiranën në qendër të vëmendjes jo vetëm për rininë, po sidomos për sportin, ku dhe ne kemi shumë ambicie për më shumë medalje siç ka treguar sporti i peshëngritjes. Një urim shkon për të gjithë ata që merren përditë me këtë punë, çdo orë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit, në këtë bastion të madh siç është vetë peshëngritja. Ka qenë një javë e jashtëzakonshme për Tiranën, e filluam javën me një organizim fantastik për futbollin. E tashmë kemi kaluar nga një ambient festiv në stadium, për në pallatin e sportit kaq modern siç Parku Olimpik. U uroj suksese të gjithë aktorëve e protagonistëve të këtij kampionati”, u shpreh Veliaj.
EVIS KUSHI
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, në fjalën e saj përshëndetëse të çeljes së këtij eventi jubilar ndër të tjera u shpreh: “Ne do të vijojmë të mbështesim vazhdimisht aktivitete të tilla prestigjioze, të cilat jo vetëm do ta zhvillojnë sportin duke përfshirë shumë të rinj e të reja, por gjithashtu nëpërmjet tij do të promovojnë vlerat dhe zhvillimin e turizmit në vendin tonë. Ky kampionat nuk vjen rastësisht te ne, por u deshën investimet e qeverisë duke ndërtuar infrastrukturën si ky ambient me përmasa europiane. Gjithashtu edhe sportistët tanë, janë ata që kanë bërë të mundur, që me rezultatet e tyre mjaft të shkëlqyera e kanë bërë të njohur sportin e peshëngritjes në këto përmasa ku nuk kanë munguar as medaljet. Për këtë dua të falënderoj presidentin Elez Gjoza për punën e mirë që ka bërë në këtë federatë”, tha ministrja Kushi.
GARAT
Tashmë radhën e kanë garat, të cilat do të nisin sot në orën 17:00, me kategorinë 45 kg te femrat. Shqipëria do të përfaqësohet në Europian me 14 sportistë, 3 femra dhe 11 meshkuj. Sigurisht pritshmëritë më të mëdha janë te Briken Calja, Erkand Qerimaj apo Evangjelia Veli, të cilët e kanë nderuar rregullisht flamurin në garat e rëndësishme ndërkombëtare.
Arena e Lajmit

Loading…