Bilancet financiare detyrojnë Interin që të ulet përsëri në tavolinën e bisedimeve me UEFA-n. Klubi zikaltër ka ndjekur shembullin e Milanit i cili rinegocioi në mars parametrat e akordit të nënshkruar për normalizimin e bilanceve, në mënyrë që të regjistrohej pa sanksione ekonomike e sportive në Europë.
Të dy klubet kanë regjistruar bilance negative falë keqadministrimit në vitet e mëparshme duke shënuar humbje kolosale jashtë parametrave të Fair Play Financiar. Në këtë mënyrë, ata u detyruan që të nënshkruanin akorde me UEFA-n për të rregulluar bilancet derisa të përputheshin plotësisht me rregulloret dhe humbjet financiare te lejuara. Milani, në muajin mars rinegocioi me UEFA-n parametrat e limiteve të shpenzimeve të klubit dhe të njëjtën gjë pret ta bëjë edhe Interi, i cili ka konfirmuar me një komunikatë zyrtare se ka propozime konkrete se si të arrijë parametrat e kërkuar.
“Interi parashikon që të firmosë një marrëveshje të re para fundit të muajit qershor 2022, duke përcaktuar raporte financiare që duhen përmbushur në periudhat e referimit që i përkasin qershorit 2023, 2024 dhe 2025”, shkruhej në njoftimin e klubit duke bërë të qartë synimin që të mos kishte më asnjë lloj kufizimi nga UEFA duke filluar nga sezoni sportiv 2025-2026.
Arena e Lajmit

Loading…