Është koha e Dibalës, Interi bën ofertën zyrtare/ Ja sa ofrojnë ziklatrit

Pritjes për Paulo Dibalën tek Interi nuk i ka ardhur fundi, por asaj për takimin e parë zyrtar po. Pasditen e djeshme në selinë zikaltër ka qenë i pranishëm Horge Antun, agjenti i sulmuesit, i cili ka takuar kryesinë zikaltër.

marota dibala

“A jam optimist? Në jetë po”, ishte fjalia e Antunit para se të niste mbledhjen, në të cilën i është paraqitur oferta e parë zyrtare e zikaltërve. Interi ka konfirmuar propozimin prej 6 milionë eurosh plus bonuset për 4 vitet e ardhshme, duke treguar dëshirën dhe besimin që kanë për të pasur një raport afatgjatë me 28-vjeçarin.

“La Joya” ama i ka më të larta pretendimet dhe synon 10 milionë euro, përfshirë edhe bonuset, një diferencë që ngelet ende për t’u kapërcyer edhe pse transferimi i tij me parametër zero mund të çojë në gjetjen e një rruge të mesme, duke qenë se për të siguruar një prej yjeve të Serisë A, Interi nuk do të shpenzojë para. Jo më kot prej më shumë se një muaji nuk kanë munguar kontaktet e Bepe Marotës, administratorit të deleguar të Interit, me vetë lojtarin, ashtu si dhe me stafin e tij.

KOMENTET – Ka qenë pikërisht një prej këtyre të fundit, agjenti i FIFA-s, Xhakomo Petralito, i pranishëm në takimin mes Antunit dhe Marotës, që ka folur në përfundim duke zbuluar se situata për transferimin e argjentinasit është optimiste.

“Nëse pyesni si ka shkuar, mendoj se po i drejtoheni njeriut të gabuar. Unë jam këtu si urë lidhëse mes palëve, por besoj se pyetjen duhet t’ia drejtoni Bepe Marotës”, ka thënë Petralito që nuk është ndalur me kaq. “Sinjale pozitive? Nëse Marota i lejon vetes të takojë agjentin e Dibalës, mbi të gjitha në selinë e klubit të tij, i bie që është një sinjal pozitiv, apo jo?”, ka përfunduar mes të qeshurash agjenti, duke konfirmuar se gjërat janë në rrugën e duhur.

Ajo që pohojnë nën zë ama protagonistët është se tratativat do të vazhdojnë, motiv për të cilin në ditët në vazhdim pritet një tjetër takim mes palëve. Optimizmi dhe vullneti reciprok që Dibala të veshë ngjyrat zikaltër ama ekziston, tani ngelet të gjendet akordi ekonomik për të realizuar ndoshta goditjen më të rëndësishme të Interit në këtë merkato vere.

Përgatiti: NISLI GJINI – Arena e Lajmit


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×