Partizani kreu dje stërvitjen e dytë pas kthimit nga pushimet. Për shkak të largimeve, por edhe të grumbullimit me Kombëtaren U-21 të Carës dhe Rrapajt, Mehmeti kishte në udhëheqje një skuadër shumë të reduktuar, në një kohë që ende nuk ka asnjë afrim zyrtar.
Albion Marku, Esat Mala, Sherif Kallaku dhe Dean Liço kanë mbyllur huazimet dhe pritet të kthehen tek ekipet, që kanë kartonin e tyre. Mirosavljev, Damçevski dhe Zhunior, pavarësisht se nuk e kanë deklaruar zyrtarisht largimin, nuk do të jenë pjesë e të kuqve në sezonin e ri dhe nuk ishin as në dispozicion të Mehmetit. Ndërkohë, Kote, Kullaj dhe Lika i kanë lënë të kuqtë zyrtarisht.
TË RINJTË – Nisja ishte programuar në orën 18:00, me Mehmetin, që për të plotësuar organikën e skuadrës, kishte afruar lojtarë nga ekipet e moshave. Të rinj si Dragaj, Burgaj, Buxhelaj, Çarçani, Spahiu apo Hodo u stërvitën me ekipin e parë.
Ajo që u vu re përtej fushës, ishte fakti që punëtorët e klubit ngarkuan thuajse gjithë bazën materiale në autobusin e ekipit, i cili është nisur mbrëmjen e djeshme drejt Sllovenisë. Në këtë seancë stërvitore, Laroshi dhe Hoxha u trajnuan pa një trajner portierësh, pasi Ilir Bozhiqi është i angazhuar me Kombëtaren. Nuk ishte i pranishëm as përgatitësi atletik, Korrado Sakone, i cili mësohet se ka probleme shëndetësore.
RISIA – Arçejnxh Bintsuka ishte risia e vetme në këtë seancë stërvitore. Partizani arriti të firmoste me të në merkaton e janarit. Kongolezi është vetëm 19 vjeç, por ka luajtur edhe me kombëtaren e tij. Ai firmosi në janar, por vjen te Partizani tani, pas mbylljes së kontratës me AS Kondzon. Ndërkohë, kongolezi tjetër, Matondo, do t’i bashkohet skuadrës ditën e sotme.
FJALËT E MEHMETIT – E djeshmja ishte një stërvitje e përqendruar tërësisht në aspektin fizik. Mehmeti e kishte ndarë seancën në disa fragmente, me një pjesë të lojtarëve që duket se i kishin shijuar pak më shumë se ç’duhej pushimet. Një prej tyre ishte Skuka. Dibrani nuk ishte në kushtet e tij optimale fizike dhe kjo tërhoqi menjëherë vëmendjen e trajnerit.
Mehmeti i kërkoi të luante fort, teksa nuk i kurseu as batutat me ish-sulmuesin e Korabit e Dinamos. “Xhuljo, shtrëngohu! Mos luaj lirshëm, se ashtu dëmtohesh! Roje ishe mbrëmë? Hajde shtrëngohu”, iu drejtua Mehmeti, i cili pas fundit të stërvitjes, e mori veç sulmuesin dhe i kërkoi më shumë impenjim.
Arena e Lajmit

Loading…