Partizani nuk e ka pritur mirë klauzolën e vendosur nga Tirana ndaj mesfushorit Engjëll Hoti pas ndërprerjes së bashkëpunimit, ku thuhej se lojtari që të merrej dokumentacionin duhet të nënshkruante se nuk do të bëhej pjesë e të kuqve.
Edhe pse dihet se kjo klauzolë nuk pranohet nga organizata ndërkombëtare, FIFA dhe UEFA, Partizani nga ky shembull ka menduar t’u bëjë një modifikim lejeve të kalimit për lojtarët që lirojnë nga kontrata.
Ky vendim është bërë i ditur për “Panorama Sport” nga zyrtarë të klubit, ndryshim të cilin ata ia kanë servirur dje gazetës.
Pa dyshim që kjo shtesë në kontrata është më shumë një lojë fjalësh, që vjen si shenjë “hakmarrjeje” ndaj rivalëve bardheblu, edhe pse dihet se ajo që ka bërë Tirana konsiderohet e paligjshme nga FIFA dhe UEFA.
Ja modifikimi që ka bërë Partizani dje në lejekalimet që do të lëshojë për lojtarët ku përfshihet edhe klauzola me bashkim germash:
“Lojtari pranon të mos nënshkruajë me asnjë klub, vendës apo i huaj, ku të ekzistojë në aktmarrëveshje apo kontratë bashkimi i germave ‘fik’, ‘fiku’, ‘fiki’ apo dhe ‘fiqo’, qoftë si pjesë, parashtesë apo prapashtesë fjale”.
Kjo shtesë është pasqyruar që dje në lejekalimin që klubi i kuq i ka dhënë ish-lojtarit, Kristi Kullaj.
Arena e Lajmit

Loading…