Robert Levandovski është një nga pikat e nxehta te Bajerni i Mynihut. Tjetri është Serxh Gnabri. Edhe sulmuesi i krahut i kombëtares gjermane nuk ka pranuar të rinovojë kontratën me bavarezët. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh në këtë periudhë merkatoje, ai pritet t’u kushtojë shumë shtrenjtë gjigantëve të Mynihut, sepse në sezonin e ardhshëm mund të largohej me parametra zero.
Bajerni po bën të pamundur për ta bindur atë të rinovojë, por vetë lojtari duket se po mendon për të provuar një aventurë të re. Më e fundit prej tij ka ardhur dje. Gnabri është ende me pushime, por pikërisht që nga andej ai ka postuar një foto në profilin e tij në “Instagram”, duke i vënë “flakën” rrjetit. Sulmuesi gjerman ka pozuar me një kapelë të Juventusit. Kapela e vendosur nga gjermani është një prodhim i veçantë i klubit të Juventusit. Ndonëse logoja e Juventusit nuk shfaqet në foto, të gjitha shenjat e tjera dalluese të çojnë te gjigantët e Torinos, përfshi këtu sponsorin në fanellë të bardhezinjve, “Jeep”.
Fill pas këtij postimi të lojtarit, tifozët e Juventusit kanë shpërthyer në rrjet, teksa debati mes tyre ka qenë i nxehtë. Por të gjithë kanë qenë në unison për të pasur në përbërje të ekipit të zemrës sulmuesin e Bajernit të Mynihut. Por misioni i “Zonjës” për të sjellë në Torino sulmuesin nuk do të jetë i lehtë. Së pari, Bajerni nuk do të hapë rrugë lehtë. Bavarezët kanë humbur jo pak lojtarë me parametra zero dhe nuk do të lejojnë një tjetër “humbje” të rëndësishme. Kjo duket edhe nga qëndrimi që ata po mbajnë me Levandovskin. Nga ana tjetër Juventusi ka edhe një konkurrent shumë të fortë si Mançester Junajtid. “Djajtë e Kuq” janë të dëshpëruar për t’i ofruar një lojtar të rëndësishëm trajnerit Ten Hag dhe Gnabri është një prej tyre.
Arena e Lajmit

Loading…