Teuta largon edhe dy lojtarë të tjerë nga grupi i vjetshëm, bëhet fjalë për Asion Dajën dhe Jahmir Hykën.
Lojtarëve u kishte mbaruar kontrata, por klubi dhe dy futbollistët nuk e panë të arsyeshme ta vijonin bashkëpunimin.
Teuta po ndërton ekipin për edicionin e ri, me synimin për trofe, por ende se ka thënë fjalën në merkaton e kësaj vere. Krahas afrimit të Hoxhës, nga bregdetarët janë larguar edhe emra si Todorovski, Aleksi, Ivanoviç apo dhe Florent Avdyli.
“Panorama Sport”mëson se tashmë edhe Daja e Hyka e kanë ndërprerë aventurën me Teutën dhe nuk do të jenë pjesë e ekipit durrsak për edicionin e ri.
Hyka u transferua te blutë në merkaton e janarit, duke firmosur kontratë 6-mujore, e cila ka përfunduar, ndërsa Asion Daja në anën tjetër largohet pas tri sezonesh, teksa në edicionin e fundit nuk gjeti mjaftueshëm hapësira, duke luajtur 26 ndeshje.
PËRGATITJET – Ekipi ka zhvilluar grumbullimin e radhës, duke vijuar përgatitjet për sezonin 2022-2023.
Pasditen e djeshme grupi i lojtarëve ka qenë i plotë në seancën stërvitore, me lojtarët që u panë të përkushtuar, për të qenë gati për sezonin e ri, që nis me 20 gusht.
Stërvitja, e cila u zhvillua në kushte të mira, zgjati rreth një orë. Trajneri Renato Arapi punoi me ritëm të lartë, ndërsa fillimisht skuadra ka zhvilluar ushtrime të ndryshme me përgatitësin atletik Mark Dodaj dhe më pas gjithçka është zhvendosur në punën me top.
Aspekti tekniko- taktik dhe mbi të gjitha ushtrime të ndryshme në veprime ofensive dhe difensive kanë qenë në fokusin e trajnerit të Teutës.
Për dy javë, ekipi do të vijojë stërvitjet në qytetin e Durrësit, ku mund të zhvillojë dhe ndonjë miqësore.
Pas datës 17 korrik ekipi pritet të largohet nga Durrësi, për të kryer fazën përgatitore në një vend më të freskët dhe të zhvillojnë sa më shumë miqësore.
Tekniku Arapi duket se është ambientuar mirë me ekipin dhe lojtarët, të cilët reflektojnë frymën dhe grindën që ai u përcjell. Ndërsa kjo është hera e parë që pas ardhjes së tij që trajneri do ta ndërtojë skuadrën sipas ideve të veta.
Grupi është i plotë, ndërsa dje lojtarët janë parë në formë të mirë fizike pavarësisht pushimeve të tejzgjatura.
ZAMIR QYPI – Arena e Lajmit

Loading…
Loading…