
Mjeku psikiatër Neli Demi i ftuar në emisionin ‘Open’ në News24 ka folur në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi në një azil në Pejë ku një zonjë e moshuar dhunohej nga një prej punonjësve të institucionit, ndërsa koleget e saj e filmonin dhe qeshnin.
Ai tha se ka një mungesë të ndjeshmërisë nga dhunueset në fjalë, ndërsa shtoi se fakti që janë 3 punonjëse mund të jetë tregues se kjo mund të jetë një kulturë pune në këtë institucion nga personeli.
Nga ana tjetër pastori Akil Pano tha se në këtë rast ka një histeri kolektive, ndërsa deklaroi më tej se punonjëset e azilit mund të kenë qenë nën efektin e drogës apo alkoolit.
Sakaq, gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar se në këtë rast ka pasur një mos funksionim të institucioneve në Kosovë për kontrollin e këtij ambienti, i cili gjithashtu nuk kishte funksionuar në rekrutimin e punonjëseve të tij
Demi:
Do të thosha se ka një mungesë ndjeshmërie nga dhunueset, që për shkak të kësaj mungese dëmtojnë njerëzit pranë pa ndjerë dëmin e njerëzve. Fakti që janë 3 persona në këtë skenë tregon që mund të jetë kulturë punë në këtë institucion nga personeli/. Nuk është rastësi që 3 infermiere të përfshihen në të njëjtën mënyrë në këtë ngjarje.
Pano:
Jam shokuar nga pamjet, është një histeri kolektive në këtë rast. Një institucion i tillë duhet të monitorohet nga ministria rregullisht. Këto punonjëset janë të reja në moshë, brezi i tyre janë fëmijët që janë rritur në traumën e luftës. Kam dëgjuar histori të tmerrshme nga lufta, një sjellje e tillë duket si një dhunë e brendshme. Kam dyshime që mund të kenë qenë nën efektin e drogës apo alkoolit.
Mërtiri:
Fakti që këto vajza e xhiruan videon dhe e poshtëruan viktimën ka pasur njerëz që janë argëtuar nga veprimi që ato e konsiderojnë si argëtim. Duhet hetuar gjithë sistemi, jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri ku jam i sigurt se ka raste të tilla. Nuk është thjesht një individ që është përgjegjës për një veprim të tillë, por gjithë shoqëria që e pranon.
Lala:
Nuk kanë funksionuar si duhet institucionet e Kosovës për të kontrolluar këtë ambient. Ka një sërë mekanizmash që duhet të kontrollonin pacientët e këtij institucioni të kujdesit. Duhet bërë një test psikologjik për punonjësit para rekrutimit të tyre.
Arena e Lajmit