Tirana priti Dudelanzhin në “Air Albania” për kualifikueset e Ligës së Kampionëve, duke humbur me shifrat 1-2 dhe duke u eliminuar për ta vazhduar aventurën europiane në Ligën e Konferencës. Si gjithmonë, “Panorama Sport” ju sjell me pikantet e kësaj sfide.
-Tifozët e Tiranës, që në orën 17:00 në stadium për të ndjekur bardheblutë. Masa të forta sigurie për këtë ndeshje. Policë në të gjithë cepat e stadiumit, ndërsa kontrollet janë shumë të rrepta. -Vesel Limaj dhe Arbër Bytyqi e panë ndeshjen nga tribuna. I pari ishte i pezulluar prej kartonit të kuq, të marrë në Luksemburg.
-Nga Reiz Çiço, Ervin Bulku tek Erjon Bogdani, ishin të pranishëm në stadium për të ndjekur sfidën mes Tiranës dhe Dudelanzhit. Personalitete kishte pa fund në stadium, ndërsa i pranishëm ishte edhe ish-deputeti Aqif Rakipi.
-“Tirona Fanatics” ishin organizuar me qendër zëri për këtë ndeshje dhe nuk pushuan asnjë moment, paçka rezultatit të ndeshjes mes bardhebluve dhe Dudelanzhit. Mbi 7500 tifozë ishin të pranishëm për të ndjekur sfidën e djeshme. Një shifër goxha e lartë, duke pasur parasysh kohën e pushimeve dhe numrin e paktë të njerëzve në kryeqytet.
-Tifozët dhe lojtarët e Tiranës janë kundër gjyqtarit kryesor për vendimet që jepte në fushën e lojës. Në një moment për pak sa nuk iu turrën gjyqtarit në fushën e lojës. Për ters, para ndeshjes në impiant lëvizte edhe një mace.
-Në minutën e 20-të, ndeshja ndërpritet për disa çaste pasi gjyqtaria kërkon të sinjalizohen tifozët e Tiranës dhe të njoftohen që të ndalin hedhjen e sendeve në fushë. Gjyqtari merr pjesën e karriges dhe ia jep Grent Halilit duke e paralajmëruar që do të ndalë ndeshjen.
-Shehi gjen mundësinë e kohën dhe ankohet te kryesori për penalltinë e padhënë pas pengimit të Xhixhës.
-Në minutën e 39-të, faull në dëm të Hilës. Gjyqtari jep faull në favor të luksemburgasve. Çmendet Shehi që proteston ashpër te gjyqtari i katërt. Rrëmujë te fundorja, pasi edhe lojtarët e stolit nuk janë dakord. Është Osmani që futet mes gjyqtarit dhe Shehit, duke evituar përjashtimin.
-Sende në fushë, duke filluar nga kokat e karrigeve, çakmakët, shishet e ujit dhe tymueset. Gjithsesi, janë raste sporadike në lojë.
-Shehi çmendet për zëvendësimin e vonuar të Qefalijës me Hilën. Ai i kërkon llogari “team manager”, i cili i shpjegon që gjyqtari i katërt ka bllokuar ndërrimet dhe kërkon të fusë dy lojtarë njëherësh.
-Pas golit të dytë tifozët e mërzitur fillojnë të lënë stadiumin. Goli i Xhixhës i frenon pak. -Në minutën e parë shtesë, gjyqtari ndal lojën sepse është ndezur një tymuese në një sektor. Arbitri refuzon të vazhdojë lojën, sepse kërkon siguri. E bën tragjike, sepse tymuesja është shuar.
-Gjyqtari diskuton me Grent Halilin dhe paralajmëron se nuk do të fillojë ndeshjen nëse nuk vjen përgjegjësi për sigurinë i stadiumit. Pasi përforcohet sektori me roje privatë e policë dhe pas pesë minutash ndalesë të takimit, rifillon ndeshja mes Tiranës dhe Dudelanzhit.
-Festojnë në dhomat e zhveshjeve lojtarët e Dudelanzhit. Nga ana tjetër skuadrën për një pjesë të mirë të lojës e drejtoi ndihmësi, sepse trajneri i parë Karlos Fanguiero u përjashtua nga gjyqtari kryesor për protesta. Në fund të ndeshjes, Taulant Seferin e rrethojnë tifozët. Askush nuk dëshiron të flasë pas kësaj humbjeje. Një pjesë e lojtarëve largohet me autobus, ndërsa pjesa tjetër vendos të ikë në këmbë nga stadiumi. I fundit që largohet nga “Air Albania” është Orges Shehi. Trajneri si zakonisht i rregullt gjithmonë plotëson dëshirat e medias. Pas një jave në Tiranë, bardheblutë presin skuadrën kampione të Bosnjës, Zrinjski.
-Te Tirana, të gjithë të mërzitur për shkak të humbjes dhe eliminimit. Kjo duket qartë edhe te momenti kur Goldi Halili u kap nga kamerat e transmetimit direkt. Vajza e presidentit Refik Halili për ndeshjet e Champions-it dhe jo vetëm ishte organizatorja e eventit, por ka bërë të pamundurën që gjithçka të ishte perfekte, paçka se rezultati nuk ishte në favor të bardhebluve dhe nuk e gëzoi atë.
– Tefik Osmani në fushë ishte me paterica për shkak të dhimbjeve të mesit, por në një moment ai harroi dhimbjet dhe shkoi të protestonte te gjyqtari.
OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit

Loading…
Loading…