Di Maria dhe Pogba jashtë roleve, Alegri synon efektin surprizë

Masimiliano Alegri sivjet jo thjesht duhet të përmirësojë vendin e katërt… Jo vetëm të fitojë titullin kampion, pasi edhe ky duket disi pak… Sezoni i ardhshëm për livornezin vlen kontratën e tij me Juventusin, mundësinë që ai të mund t’i shkojë deri në fund kontratës së tij 4-vjeçare në Torino.

maxresdefault-1-940x529

Sigurisht, është e vërtetë që askush nuk mund t’i anulojë atij 5 titujt radhazi, 4 Kupat e Italisë radhazi, 2 Superkupa dhe 2 finale Champions-i të arritura, por aventura e parë tashmë është thjesht pjesë e arkivit dhe vetëm kaq. Alegri e di mirë këtë, e di mirë se një tjetër vit pa trofe në Torino është i papranueshëm, i patolerueshëm, aq më tepër kur atij iu plotësuan edhe dy tekat e mëdha që kishte për këtë merkato vere.

Është e vërtet se Pol Pogba dhe Angel di Maria mbërritën që të dy me parametër zero, por fakti se mes pagës, bonuseve dhe taksave, francezi dhe argjentinasi u kushtojnë xhepave të “Zonjës së Vjetër” 33-34 milionë euro, pa menduar pastaj për gjërat e tjera! Gjithsesi, duke parë vetëm stërvitjet e para, si Pogba ashtu sikurse Di Maria ofrojë garanci, por në fund…

I TAKON ALEGRIT – Po, i takon trajnerit të Juventusit që të nisë të mendojë, të studiojë dhe të bëjë që futbollistët e tij të rinj e ekzistues ta ndjekin në çdo kërkesë që ai ka. Rindërtimi i një skuadre, e cila rrezikon që të humbasë edhe De Ligtin, nuk është diçka e re për “Kontin Maks”, por më shumë sesa kjo, vjet amnezia e madhe e Juventusit ishte gjetja me lehtësi e rrugës së rrjetës dhe kjo është pika e parë ku ai duhet të punojë.

Ndoshta ka ardhur ora që trajneri bardhezi të nisë të ndryshojë disa herë mënyrë loje brenda ndeshjes dhe kjo është ideja që të detyrojnë dy futbollistë si Pogba dhe Di Maria. Nëse francezi do ta nisë në mesfushë, ai sigurisht që mund të jetë lojtari që merr topin e parë nga portieri ose nga mbrojtja, për t’u hapur pastaj në korsitë anësore të fushës dhe për t’i dhënë hov manovrës sulmuese që duhet vazhduar nga Di Maria.

Argjentinasi gjithashtu është një lojtar polivalent, i cili edhe pse di të bëjë lehtësisht rolin e sulmuesit të majtë, duke u nisur edhe nga fakti që është mëngjarash, një ide tjetër është ajo e sulmuesit të djathtë, në mënyrë që të synojë qendrën dhe të shfryjë të majtën drejt portës rivale apo të asistojë Vlahoviçin me shokë. Një tjetër është edhe mundësia për të luajtur si mesfushor, në një 4-4-2 apo pse jo edhe në një 3-5-2, jo më në korsinë anësore, por më thellë drejt qendrës, për të organizuar dhe për të pasur më shumë rrugë pasimi, si rrjedhojë e shfrytëzimit të teknikës së tij të pafundme.

KIEZA E KUADRADO – Të pafundme janë edhe zgjidhjet e Juves për të kërkuar efektin surprizë, për të qenë e paparashikueshme. Sepse përveç Di Marias dhe Pogbasë, Juvja mund të mbështetet në fazën ofensive edhe te dy “pistona” si Kuadrado dhe Kieza, që duhet të rikthehen në fushë në mes të shtatorit.

Që të dy të shpejtë dhe që të dy me vesin e driblimit në gjak, pa dyshim që nëse Kieza e Kuadrado bashkojnë forcat me Di Marian dhe Pogbanë, mund të lëshojnë shkëndija në një skemë 4-3-3 që pritet të jetë zgjidhja e parë e Alegrit, por pse jo edhe në një 3-5-2 apo 4-4-2, mund të bëjnë që rrugët e Vlahoviçit për t’u furnizuar dhe goditur portën të jenë të panumërta. Më shkurt, Alegri kërkon një skuadër kameleon dhe shfrytëzimin në maksimum të lojtarëve të tij polivalentë.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – Arena e Lajmit


Loading…

Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×