“Demat” e katranosin, sherr në fushë dhe tribuna/ Partizanin e pret një gjobë e majme nga UEFA, Olsi Rama mbetet pa fjalë

– 4 mijë e 178 ishin biletat e shitura për këtë takim, ku mes tyre bënin pjesë edhe një delegacion prej 30 të rinjsh që kishin udhëtuar nga Gjeorgjia në Shqipëri dhe që ishin akomoduar në tribunën kryesore.

Partizani

-Të parët që dolën në nxehmje ishin tre portierët e Partizanit, pikërisht në orën 19:16. Tre minuta më vonë del edhe skuadra e kuqe.

-Nga klubi gjeorgjian ishin vetëm pesë vetë në tribunën VIP, madje presidenti i Saburtalos nuk kishte udhëtuar me ekipin. Ndërsa presidenti i Partizanit, Gaz Demi, mbërriti në stadium në orën 19:50 dhe zgjodhi të qëndronte në një llozhë lart dhe jo në tribunën VIP. Gjithsesi, në këtë sektor pranë gjeorgjianëve ishte drejtori i përgjithshëm Olsi Rama, si dhe delegatë e vëzhguesi i UEFA-s.

-Të pranishëm ishin edhe shumë ish-lojtarë dhe trajnerë të Partizanit, ku mes tyre ndodhej edhe Erald Çinari dhe Erjon Bogdani.

-Arsitotelo Romero, një nga afrimet e të kuqve në merkato, e ndoqi ndeshjen nga tribuna, ndonëse emri i tij figuronte në protokollin e ndeshjes. Romero e pa takimin në shoqërinë e së dashurës së tij.

-Ndeshja nisi me thirrjen se nuk ka vend për racizëm, por fundi tregoi një panoramikë të shëmtuar.

-Minuta 9. Skuka, i inatosur që Cara nuk i pasoi, pakënaqësinë e shprehu me fjalë e lëvizje duarsh. -Me kalimin e minutave tifozët janë të pakënaqur me lojën mbrojtëse që po bënte Partizani dhe shpesh e fërshëllenin.

-Çdo shashkë, tymuese apo flakadanë i ndezur dhe hedhur nga tifozët e Partizanit është mbajtur shënim nga delegati i ndeshjes. Kjo u dokumentua nga zyrtarët e ndeshjes me shënime, foto dhe video. Kështu që Partizani është i prirur që të përballet me një gjobë të majme, vlerë të cilën e shtojnë më shumë edhe trazirat e ndodhura në përfundim të ndeshjes si në fushë dhe tribuna.

saburtalo3

-Minuta 38. Goditje dënimi për të kuqtë, Bitri afrohet pranë pankinës ku merr udhëzime nga trajneri Mehmeti dhe menjëherë mbrojtësi vrapon për t’ua transmetuar shokëve, por gjuajtja e Hotit la për të dëshiruar.

– Minuta 44. Një tifoz i vogël me shallin e Partizanit hyn në fushë dhe pas ndërhyrjes së stjuardëve e larguan. Ultrasit e kuq menjëherë nisen thirrjet në kor: “Lironi qerrin, lironi qerrin”.

-Minuta 51. Pranë portierit gjeorgjian hidhet një gotë plastike nga tifozët e kuq, delegati bëri gati stilolapsin ta shënonte, por pasi e pa që ishte gotë plastike nuk e regjistroi te shkeljet e dënueshme.

-Minuta 89. Gjeorgjianët nuk u besojnë syve se çfarë rasti humbi shumë pranë portës Sikharulidze dhe të gjithë vendosin duart në kokë.

-Në minutën e fundit të shtesës së parë portieri Teqja nuk arrin të koordinohet në vendosjen e murit, pasi Ndreca, Skuka dhe Rrapaj vonojnë. Gjeorgjianët e gjuajnë topin pa u vendosur muri në pozicionin e duhur, por fatmirësisht Teqja bëri një pritje shpëtimtare.

-Seria e penalltive u gjuajtën nga ana e tribunës ku ndodheshin tifozët e Partizanit. Pas pritjes së penalltisë të gjuajtur nga Maguet, gjeorgjianët shpërthejnë në festë dhe shkojnë të festojnë te portieri. Festa e tyre nuk u “përtyp” nga ultrasit e kuq, të cilët filluan të hedhin lumë sendesh ndaj miqve, dhe një prej tyre goditi portierin mik.

Në këtë moment shpërthen një përplasje fizike në fushë ku protagonistë bëhen pjesëtarë të të dyja ekipeve. Madje, gjeorgjianët u kundërpërgjigjen me hedhje sendesh dhe provokime ndaj tifozëve. Kjo e shtoi dozën e tensionit, ku nuk munguan edhe kapjet me duar apo goditjet mes lojtarëve, ku protagonistë u bënë ata që vinin nga stoli. Tifozët e kuq nuk kursyen as hedhjen e stolave në fushë, kështu që Partizani duhet të bëjë llogaritë për një gjobë të majme nga UEFA.

-Shfaqja e turpshme që nisi në fushë nga lojtarët e dy ekipeve u transmetua edhe te pjesa e tifozëve gjeorgjianë, të cilët duke qenë të përzier me ata shqiptarë nisën të festojnë dhe të konfrontohen me vendësit. Përplasja qe e ashpër, ku nuk munguan edhe shkëmbimet e grushteve, madje e pësuan edhe forcat e rendit që ndërhynë të shuajnë sherrin. Dy nga protagonistët shqiptarë të sherrit në tribuna u arrestuan nga policia dhe që u shoqëruan në komisariat. Mes të ndaluarve ishte edhe një gjeorgjian, por ai nuk u pa që të shoqërohej me makinë policie.

-Zhgënjimi në kampin e kuq pas eliminimit ishte aq i madh, sa drejtuesit nuk dinin çfarë shpjegimi të jepnin. “Panorama Sport” kërkoi të marrë një mendim nga drejtoi i përgjithshëm, Olsi Rama, i cili shkurtimisht u shpreh: “Nuk di çfarë të them”. Drejtoi hapi krahët kur u përgjigj, duke lënë të kuptohet se sa i madh ishte zhgënjimi te Partizani, i cili me duart e veta e katranosi fatin e ndeshjes si në fushë dhe në tribuna.

ILIR CARA – Arena e Lajmit


Loading…

Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×