Një merkato në hyrje fantastike dhe përz ierja e lojtarëve me cilësi të ndryshme i lejojnë Simone Inzagit të eksplorojë në botën e taktikës çdo modul të mundshëm për të ndryshuar shpeshherë fytyrën e Interit të tij.
Fanatiku i 3-5-2, një rreshtim i ndryshuar aq herë sa mund të numërohen me gishtat e njërës dorë sezonin e kaluar, po ideon këtë herë një sërë variantesh dhe faza përgatitore është e duhura për t’i vënë në praktikë të gjitha idetë e tij, me qëllimin kryesor: të shfrytëzojë të gjithë lojtarët e tij për të mos u lejuar kundërshtarëve pika referimi dhe për të përfituar nga faktori surprizë. Pastaj nëse gjërat nuk shkojnë si duhet, Simone do të thërrasë dyshen “LuLa” për të zgjidhur ndeshjen.
VARIANTET – Pavarësisht të gjithë kësaj ama, të gjithë e dinë mirë se Inzagi nuk është nga ata që eksperimentet i ka pikën e tij të fortë. ai është i gatshëm të kalojë njëzet orë në ditë në fushë për të vendosur në praktikë atë që ka në teori, por nuk do të rrezikonte kurrë pa e provuar.
Këtë e ka treguar në disa ndeshje të sezonit që lamë pas, kur i vetmi plan ka qenë ai i pozicionimit të Çalhanoglusë pas pykave për të zgjeruar disi rrezen e aksionit. Sot gjërat trajneri i shikon ndryshe pasi nuk do më vetëm një plan B, por që në fillim do të ketë edhe një plan C e D. Këtë herë Korrea dhe mesfusha i garantojnë shumëçka dhe trajnerit i ngelet vetëm të zgjedhë nëse skemën e tij klasike do ua përshtatë lojtarëve dhe rivalëve.
MESFUSHORËT SULMUES – Me Korrean mes linjave në një 3-4-1-2, skuadra siguron më shumë cilësi në driblimet në zona të ngushta, duke shmangur kështu presionin dhe duke i siguruar më shumë metra skuadrës. Po ashtu, “Tuku” është edhe nga ata që di të depërtojë dhe ta vendosë veten në zonën e rreptësisë, sidomos nëse Lukaku dhe Lautaro do të arrijnë të tërheqin me vete mbrojtësit duke i krijuar hapësirat e nevojshme.
Ndërkohë që një tjetër alternativë i jep aktivizimi i Mikhitarianit që di të përshtatet mirë në një 3-4-2-1, sidomos nëse krah tij luan Edin Xheko. Boshnjaku synon thellësinë dhe kjo do t’i jepte Mikhitarianit mundësinë për të marrë krahët apo për t’i vendosur si atë edhe Lukakun në pozicione të favorshme shënimi.
TREKËNDËSHI BROZO-ASLLANI-ÇALHA – Në fund, por jo më pak e rëndësishme për një Inter që gjithmonë duhet të ruajë ekuilibrin, është ideja për të parë në fushë Asllanin dhe Brozoviçin njëkohësisht në 3-5-2.
Kroati është truri i skuadrës, por shpesh gjendet i markuar në të gjithë fushën dhe duke i ardhur në ndihmë Kristjani, që mund të jetë një “alla Barela” do të ketë më shumë liri në fushë. Kështu, Kristjani duhet të ulet në linjën e lojës së Brozoviçit, me Çalhanoglunë që mund të avancojë duke formuar një trekëndësh në mesfushë, për t’i dhënë skuadrës më shumë hapësirë, më shumë gjeometri e më shumë ide. Rezultati? Më shumë rrezik për kundërshtarin dhe një Inter dominues e fitues.
Përgatiti: NISLI GJINI – Arena e Lajmit

Loading…
Loading…