
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka treguar vendimet që janë marrë në mbledhjen përjavshme të qeverisë. E para kishte të bënte me miratimin e reduktimit të zyrave të Gjendjes Civile, e paralajmëruar kjo edhe nga kryeministri Edi Rama.
Ashtu siç është bërë e ditur, pra nga 1 maji, shumica e shërbimeve në zyrën e Gjendjes Civile do të ofrohen online.
“Miratuam në qeveri reduktimin e zyrave të gjendjes civile. Do të ketë 150 zyra të tilla. Kjo si pasojë e thellimit të revolucionit digjital që po bëjmë për dhënien e shërbimeve publike. Të gjitha shërbimet që ofroheshin online do të jenë prej 1 majit vetëm online. Do të ketë 150 sportele në të gjithë vendin për të marrë ato shërbime për të cilat detyrimisht duhet të paraqitet qytetari. Për të tjerat, janë plot 8 shërbime që ofron gjendja civile do të jetë online. Është shkëputur kontakti i qytetarit me sportelet fizike. Nuk do të ketë më sportele fizike, do të jenë online. Të gjitha institucionet e administratës publike, janë të detyruar që t’i sigurojnë vetëm dokumentet nga Shërbimi i Gjendjes Civile nga kërkesa q qytetarit. Është sasi e madhe dokumentesh që do të ofrohen online. Vetëm nga MB, janë rreth 90 shërbime që prej datës 1 maj do të ofrohen vetëm online”, tha Çuçi.
Ndërkaq, ministri foli edhe për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Ai tha se do të ketë monitorim strikt për këtë proces, në mënyrë që të mos ketë abuzime.
“Nuk ka lidhje kultivimi i kanabisit me kultivimin e jashtëligjshëm të kanabisit me qëllime të tjera. Këtë gjë do e bëjmë me një ligj të posaçëm që do të përcaktojë rregulla strikte për vendet ku do të mbillet si dhe për bashkëpunimin me vende të tjera të njohura që janë dhe operojnë në këtë fushë. Disiplinimi me ligj do të jetë strikt. Takimet me drejtuesit e qarqeve janë rutinore. Kësaj radhe ishte për të monitoruar sa më mirë territorin e Shqipërisë që fenomeni të jetë në zhdukje. Është momenti kur fillojnë edhe mbjelljet e kanabisit. Ky vit do të shënojë progres të madh në frenimin e këtij fenomeni. Ju e dini që thuajse 90 e vendeve të OCD e kanë legalizuar. Nuk ka nevojë për studim të thelluar, kur pothuajse të gjithë vendet e standardit Evropian e kanë të legalizuar këtë. Është dhe përpunimi aspekt i rëndësishëm i kësaj. Kur të përgatisim legjislacionin për këtë temë, duhet të përgatitemi që të mos bëjmë gabimet e fqinjëve tanë”, përfundoi ministri.
(BalakanWeb)