Vratislav Greshko, “regjisori” i një prej dramave të historisë moderne të Interit. Më 5 maj 2002 Interi kryesues i bënte vizitë Lacios. Mjaftonte një fitore për të vënë duart mbi titull, por vendësit fituan 4- 2 dhe nga ky rezultat përfitoi Juventusi që u shpall kampion.
Ndeshja e zikaltërve u shënua nga gabimet e sllovakut, sidomos në një rast kur ktheu topin prapa dhe nga ku përfitoi Poborski. Sllovaku, për interistët u duk si një mallkim, ndërkohë që në Torino e në Milanon kuqezi festohej njësoj. Për më tepër, imazhet e Ronaldos duke qarë si tifozët e tij zikaltër bënin xhiron e botës.
Në 20 vjet distancë, Vratislav Greshko rikthehet të flasë duke mos kursyer këshillat për Ionuc Radunë që ashtu si ai, po masakrohet e po shpallet fajtor për një gabim që i ndodh kujtdo.
Si mund ta marrësh veten pas një gafe të tillë?
Duke e harruar atë që ndodh në fushë. Për mua që më 6 maj ishte fshirë gjithçka.
Ndoshta Radu do ta ketë më të vështirë për të harruar?
Është i ri dhe do të mësohet. Kush nuk ka kaluar të tilla situata fundja! Shihni Alisonin, ndër portierët më të mirë në botë. Vjet i rreshtonte gafat njëra pas tjetrës, por Klopi e ndihmoi. Futbollistët nuk janë robotë dhe gabimet bëhen në çdo sport.
Pra, faji nuk duhet shkarkuar tek individi?
Nuk ka për të qenë tragjedi. Radu të mendojë për karrierën sepse rastet për të treguar veten nuk do t’i mungojnë. Është e qartë që kur humbet një titull, fillon gjuetia e fajtorit. Kështu u vjen për mbarë të gjithëve.
Dhe ju e keni provuar vetë….
Mund të flasim me orë për 5 majin e për ata katër gola, por vazhdoj ta them se titullin e kishim humbur shumë më parë sepse ishim mundur nga Atalanta e kishim barazuar me Kievon. Sinqerisht që sot mua nuk më bëhet vonë fare.
Si ju duket lufta e titullit në Serinë A?
Inzagi është i zoti e unë bëj tifo për Interin, por Milani luan më mirë. Pashë ndeshjen me Lacion dhe u habita.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – Arena e Lajmit
