Kryeministri Edi Rama duke folur nga Kuvendi i Shqipërisë, atje ku dha mesazhin e tij të fortë presidenti Zelensky, tregoi edhe detaje nga biseda e tij me këtë të fundit kohë më parë.
Ai tha se të dy liderët kishin planifikuar bashkëpunimin dhe intensifikimin se si qytetarë ukrainas të kishin një shtëpi të dytë pushimi në Shqipëri. Mes të tjerash Rama tha se duket se lufta do të jetë e gjatë.
“Qëndresa juaj e palëkundur, pamjet e kësaj tragjedie të paimagjinueshme, deri në ditën e hyrjes së forcave ruse në territorin sovran të Ukrainës, janë sakrifica ekstreme dhe shërbim i paçmuar që ju dhe vendi juaj po i bëni botës dhe një Europe të përgjumur. I dashur miku ynë Presidenti Zelensky, e kujtoj shpesh këto kohë bisedën tonë në Kiev dhe dëshirën tuaj që Shqipëria të bëhej vendi ku ukrainasit të kishin shtëpi të dyta për pushimet e tyre. “Jemi shumë afër për të qenë kaq larg!”, thatë ju me kënaqësinë e dikujt që ka zbuluar një vend të bukur pranë shtëpisë. Të gjithë e dimë tanimë se kjo luftë mund të mos jetë e shkurtër, ashtu sikundër çdo ditë që kalon, me tmerre të reja, e zgjat ende më shumë shtegun shumë të ngushtë drejt paqes. Por unë e besoj sinqerisht zoti President, se nëse sot në Shqipëri po vijnë ukrainasit që ikin për të mbrojtur fëmijët e tyre nga lufta, nesër dëshira juaj, që ata të vijnë këtu, në shtëpitë e tyre të dyta, për të kaluar pushime të gëzuara familjarisht, do të bëhet realitet. Unë dhe të gjithë ne këtu do të donim t’ju thoshim sot shumë gjëra, por ju keni me siguri shumë gjëra të tjera më të rëndësishme për të bërë i nderuar President, kështu që lejomëni ta mbyll këtë fjalë, duke ju shprehur në emër të Shqipërisë e të shqiptarëve, të gjithë mbështetjen, respektin dhe miqësinë tonë. Zoti qoftë me ju dhe me Ukrainën heroike!”, tha Rama.
Arena e Lajmit