Ndeshja e tretë radhazi pa fitore në kampionat, Roma e Zhoze Murinjos, duket se ka humbur rrugën e suksesit. Kryeqytasit nuk shkuan më shumë se barazimi pa gola ndaj Bolonjës, që vazhdon të mbetet e pathyeshme dhe nuk njeh humbje në 6 ndeshjet e fundit.
Për sa i përket përballjes së sotme, ajo ishte tepër e luftuar, teksa u regjistruan plot 9 goditje në kuadrat, 5 për Romën dhe 4 të Bolonjën, por në fund asnjë skuadër nuk arriti të triumfonte.
Për sa i përket Marash Kumbullës, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, u aktivizua titullar, duke bërë një paraqitje dinjitoze. 22-vjeçari ishte i pakalueshëm në repartin difensiv, duke formuar treshen e mbrojtjes me Ibanjez dhe Mançinin. Në fund të ndeshjes, Kumbulla u vlerësua me 7.1 nga faqja e specializuar e statistikave “Sofa Score”.
Me këtë barazim, Roma u ngjit në kuotën e 59 pikëve, duke u pozicionuar në vendin e 5-të, me numër të barabartë pikësh me Lacion e vendit të gjashtë, ndërkohë që Bolonja mban vendin e 13-të me 43 pikë. Sfidën e radhës Roma do e luajë ndaj Fiorentinës, ndërkohë që Bolonja do të jetë mysafire në transfertë ndaj Venecias.
Arena e Lajmit