
Bajram Begaj është zgjedhur Presidenti i ri i vendit. Pas përfundimit të procesit të numërimit, ka rezultuar që 78 deputetë kanë votuar pro, vetëm katër deputetë kanë votuar kundër Begajt në krye të shtetit, ndërsa 1 deputet ka abstenuar. Mazhoranca ka 77 deputetë, çka do të thotë se një nga deputetët e opozitës të cilët morën pjesë në procesin e votimit, ka votuar pro kandidaturës së Begajt.
18:53
Nis procesi i numërimit të votave për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.
18:52
Është mbyllur procesi i votimit për zgjedhjen e kreut të shtetit. Deputetët kanë votuar në lidhje me zgjedhjen e kandidatit Bajram Begaj si pasardhës i Ilir Metës. 83 deputetë kanë marrë pjesë në procesin e votimit. Tani pritet të nisë procesi i numërimit.
18:23
Nis procesi i votimit për presidentin e ri në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët po i drejtohen kutisë së votimit, për të zgjedhur kreun e ri të shtetit. Ndërkohë, Sali Berisha dhe deputetët e PD janë larguar nga salla duke mos marrë pjesë në votim.
18:19
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, është larguar nga salla e Kuvendit. Ai po mban fjalën për gazetarët në ambientin jashtë Kuvendit.
18:17
Kryetari i PD Sali Berisha ka kërkuar për herë të dytë fjalën , gjë që është mohuar nga Kryeparlamentarja Nikolla, e cila tha se një gjë e tillë nuk është e mundur në një seancë të tillë, referuar Rregullores së Kuvendit.
18:08
Ka nisur seanca për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Seanca ka nisur me kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, e cila ka lexuar raportin e vlerësimit të bërë nga ky komision mbi figurën e Begajt, ku tha se nga verifikimet ka rezultuar se Bajram Begaj plotëson kriteret kushtetuese dhe ligjore për t’u zgjedhur President i Republikës.
Arena e Lajmit