
Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve në lidhje me miratimin e kandidaturës së gjeneral major Bajram Begaj për postin e presidentit të ri të vendit, çka do të kalonte më tej kandidaturën për votim në Kuvend, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka pasur kritika në lidhje me dokumentacionin i cili është vënë në dispozicion të anëtarëve.
Ai u shpreh se ishte e domosdoshme që të kishin në dispozicion një CV të plotë, në mënyrë që të vërtetohej ose hidhej poshtë për shembull pretendimi se për një periudhë të caktuar, zoti Begaj kishte qenë pjesë e Ministrisë së Brendshme.
“Na mungon një CV e detajuar për aktivitetin e kandidatit për president. nuk është thjeshtë çështje për të parë datën e lindjes dhe as raporte nga shërbimet e tjera, duhet të shohim për çfarë po votojmë për president.
Duhet të ishte dokumentacioni i plotë pasi do të na shërbente për të parë fakte të tjera si psh ka qënë pjesë apo jo e Ministrisë së Brendshme në një moment të caktuar. Këto kanë të bëjnë më vlerësimin e deputetëve për kandidaturën, ajo që na mungon është dekreti i presidentit, relacioni juaj nuk mjafton.
Solemniteti i kësaj seance nuk është një shqyrtim që bën sekretaria, por ne, komisioni. Më vjen keq që thoni se duhet të konstatojmë vetëm kushtet bazë. Është detyrë e jona të shohim nëse përputhen edhe kushtet e tjera. Është nëse kandidatura ka ndonjë moment papajtueshmërie apo pazgjithshmërie.
Ushtarakët e shërbimit aktiv e kanë të ndaluar të kandidojnë për çdo lloj posti tjetër.
Jemi përpara nevojës për të verifikuar dhe nuk kemi dokumentin e dekretit.
Dua të ndalem, edhe po të shihni raportin flisni për gjeneral major Begaj, nuk kam asgjë në planin personal. Duhej një CV për të kuptuar sa i përshtatshëm është për këtë post. Jo çdo 40 vjeçar është i përshtshëm të jetë president”, është shprehur ai.
Arena e Lajmit