
Në këto ditë të para korriku, Inter është një nga ekipet më aktive në Serie A. Zikaltërit njoftuan pak ditë më parë rinovimin e kontratës me dy titullarë të rëndësishëm, Bastoni dhe Calhanoglu, ndërsa të enjten siguruan zyrtarisht shërbimet e Davide Frattesi, një nga lojtarët më të kërkuar në Itali. Frattesi firmosi një kontratë deri më 30 qershor 2028. Kartoni i mesfushorit i kushtoi Interit afro 36 milionë euro, ndërsa lojtari do të përfitojë 2,8 milionë euro në sezon. Pasi siguruan shërbimet e Frattesi, stafi drejtues i Interit është fokusuar me kohë të plotë të mbyll transferimin e Lukakut.

Sipas mediave italiane, ka një datë kur belgu pritet të rikthehet në Milano, 12 korrik. Në këtë datë Chelsea nis grumbullimin, ndërsa Inter një ditë më vonë, për këtë arsye të dy klubet dëshirojnë ta mbyllin këtë çështje brenda datës 12 korrik, përpara se të nisin fazën përgatitore. Inter ka gati ofertën fituese, 35 milionë euro në total, 5 për huazimin këtë vit dhe 30 të tjera në përfundim të këtij sezoni.

Ka marrë drejtim edhe e ardhmja e Onana-s. Inter dhe Man.United kanë gjetur gjuhën e përbashkët, palët kanë rënë dakord për 55 milionë euro. Kamerunasi ka dhënë sinjale lamtumire në rrjetet sociale, ndërsa Marotta duhet të kujdeset për të gjetur një portier të ri. Në listën e dëshirave gjejmë edhe emrin e Yann Sommer, portieri zviceran mund të largohet nga Bayern pasi titullar sezonin e ri është parashikuar sërish Manuel Neuer.
()
and then