
Nga Elisa Spiropali – Botuar në 4 Mars, 2008
LIDERI I RI
Lideri i vjetër është si ora tre e natës; Tepër vonë për të fjetur, tepër herët për t’u zgjuar. Lideri i vjetër nuk është si, miqtë e vjetër, librat e vjetër apo vera e vjetër, të cilët janë më të këndshëm dhe më të efektshëm se miqtë e rinj, librat e rinj, vera e re. Megjithatë, edhe lideri i vjetër mund të jetë më i efektshëm se lideri i ri. Por me një kusht; Të jetë i vdekur! Përndryshe, nëse lideri i vjetër është edhe i vjetër edhe i gjallë, atëherë me siguri është edhe më i vjetër se i vjetër, edhe më i vdekur se i vdekur, i pavlefshëm, i padobishëm, pengues.
Këto dhe të tjera të çojnë tek domosdoshmëria ulëritëse e Liderit të Ri që na duhet patjetër. Mirëpo edhe Lideri i Ri, edhe pse i ri dhe i gjallë, mund të jetë në të njëjtën kohë edhe i vdekur. Duket e çuditshme. Por nuk është. Sepse nuk është fjala për një vdekatar të zakonshëm që gdhihet dhe ngryset dhe i përket dhe i shërben vetëm vetes së vet, por për një njeri të jashtëzakonshëm që u përket të gjithëve. Dhe, rrjedhimisht, përderisa pa lider nuk bëjmë dot, se atëherë do ishim si një “kope pa bari”, lideri që na duhet, duhet detyrimisht të jetë, jo një i ri i fikur, as dhe një i vjetër i gjallë i vdekur, madje as edhe ndonjë përbindësh i ri i ndezur neveritshëm, por një i ri i ndezur bukur, një i ri i ri, një i gjallë i gjallë!
Si duhet të jetë vallë Lideri i Ri? Bajloz që përlan çdo mëngjes një kazan paçe derri që e ngre me të dy duart lart dhe e zbraz drejt në gojën shpellë pa lugë pa garuzhde?! Aq i fuqishëm sa kur të mbajë fjalim elektoral, për shembull në Mat me fytyrë nga Miloti, nga fryma që do nxjerri, Ura e Zogut të shembet dhe dallgët të ngrihen në Adriatik? Të jetë i aftë tunelin e Kalimashit ta shpojë me një kaçavidë? Në rast krize energjetike basenet e Drinit t’i mbushi me raki? Kur t’i teket të udhëtojë nga Veriu në Jug ose nga Perëndimi në Lindje, duke ecur të shtypi me putra për çdo hap nga disa fshatra? Autostradat t’i shtrojë më zift të zi fjalimesh elektorale gënjeshtare? Portet t’i thellojë me dhëmbë premtimesh hajdutësh? Aq i madh sa, kur të sëmuret, me cikrat e teshtimave dhe kollëve të gripit të na sëmuri të gjithëve? Dhe të lodhemi pastaj t’i gjejmë bishës së sëmurë paracetamolë sa një rrotë mulliri? Aspak!
Ky model lideri që për shkak të rrethanave fatkeqe u është imponuar shqiptarëve gjatë viteve tranzicionale me liderë që bien e ngrihen dhe vrasin e presin sa majtas sa djathtas si Skënderbera me shpata dhe Gjergj Elez Alira me topuzë, nuk vlen më, është rrugë pa krye, plot me probleme, tejet i rrezikshëm, regresiv.
Lideri i Ri, vërtet i ri, nuk është si i vjetri sasior, por cilësor! Lideri i Ri nuk është përbindësh, është njeri! Lideri i Ri, nuk vjen, thirret! Lideri i Ri i shqiptarëve nuk përpëlitet, nuk zvarritet, as nuk ngjitet, por zbret! Pasi është thirrur dhe ka zbritur, për Liderin e Ri, nuk ka as para as mbrapa, as majtas as djathtas. Ka vetëm lart dhe poshtë. Para dhe mbrapa bëjnë të gjithë të tjerët, jo Ai!
Lideri i Ri nuk mban pranë lakej, por njerëz seriozë, dinjitozë. Ndihmësit, Liderit të Ri nuk i vijnë. Ata i fton Ai. Ndryshe nga i vjetri që ndërton piramidë, i riu ndërton Katedrale. Katedralja e politikës dhe e pushtetit të Liderit të Ri nuk është e ndërtuar pra me të ardhur, por me të ftuar. Ashtu si popullit iu desh dhe e ftoi Atë, Ai fton ata. Lideri i Ri është i vetëmjaftueshëm nga cilido këndvështrim. Lideri i Ri është impersonal! Për Liderin e Ri mburrja është pështirosja më e madhe. Ai nuk thotë kurrë “unë”. Lideri i Ri as e do as nuk e do popullin. Ai është thirrur prej popullit, për të bërë një punë, për të kryer një shërbim.
Lideri i Ri nuk e gënjen kurrë popullin e tij. Ai popullit nuk i fsheh as të vërtetat e hidhura. Për shembull i thotë edhe se mes tyre ka jo pak që revoltohen ndaj korrupsionit dhe hajdutllëkut për të vetmen arsye pse s’janë vetë të aftë të vjedhin dhe të futen në zinxhirin kurruptiv për të përfituar prej tij.
Lideri i Ri nuk merret me gazeta dhe televizorë. Ato Ai as i lexon as i sheh – i bën! Lideri i Ri, në të kundërt të liderit të vjetër, ndërton shoqërinë e shumicës në shtim të të ndershmëve të menduar dhe e pakicës në zvogëlim të të pandershmëve të dëshpëruar. Lideri i Ri shfaqet larg. Aq larg sa mezi duket. Dhe ka pamjen e njeriut të kërcënuar. Por është afër! I vjetri të vjen e të rri afër fare. Dhe është dukshëm invadues e kërcënues. Por është efektivisht larg!
Lideri i Ri sa më lart ngjitet aq më pak i lirë, aq më tepër i obliguar, ndjehet. Ndërkohë që i vjetri sa më lart ngjitet, aq më i lehtë, i lirë, i pa obliguar ndjehet, derisa kur arrin në majë kujton se mund të bëjë, dhe bën, gjithçka pa i dhënë llogari askujt. Lideri i Ri me ata që ka afër, pra me vartësit, ka dhe mban vetëm lidhje pune, jo emocionalitete. Lideri i Ri pëlqehet më shumë nga ata që i rrinë sa më larg. I vjetri mban afër vetëm lakej të bindur, zagarë të pështirë që bëjnë sikur e duan, ndërkohë që urrehet prej gjithë të tjerëve.
Lideri i Ri e do Shqipërinë dhe shqiptarët sa veten. I vjetri veten e do sa gjithë bota. Lideri i Ri në vetvete nuk ndjehet aspak lider por shërbëtor. I vjetri ndjehet, ashtu si në të vërtetë është, despot, mbret. Lideri i Ri është arkitekt fatesh! Lideri i Ri është lundërtar qiejsh! Lideri i Ri është inxhinier Lirish! Lideri i vjetër, ky kombinim monstruoz sasish është një daulle lufte që të shurdhon. Lideri i Ri është tingull, zë, klithëm, që del nga violina e paçmuar me emrin Liri!
and then