“Nevojë për meditim kombëtar”, Peleshi në Samitin e Diasporës: Shqiptarët duhet të gjejnë formulën për të ardhmen e kombit

Gjatë fjalës së tij në Samitin e Diasporës, kryeparlamentari Niko Peleshi theksoi nevojën për një reflektim të thellë kombëtar mbi të ardhmen e shqiptarëve, duke thënë se ende nuk është gjetur “formula e përbashkët” për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Sipas Peleshit, bota po përballet me ndryshime të shpejta, të shoqëruara me rreziqe dhe sfida të reja për shtetet dhe shoqëritë, por njëkohësisht edhe me mundësi të reja zhvillimi. Në këtë kontekst, ai ngriti pyetjen se ku duhet ta gjejnë veten shqiptarët në këto zhvillime globale.

Ai u shpreh se është e nevojshme një “meditim kombëtar” mbi drejtimin e ardhshëm të vendit dhe mbi krijimin e një narrative të përbashkët për kombin shqiptar.

Duke iu referuar diasporës, Peleshi tha se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit janë qytetarë të integruar në shoqëritë ku jetojnë, por njëkohësisht mbajnë me vete një pjesë të Shqipërisë, që sipas tij mbetet një lidhje e fortë emocionale dhe identitare.

“Ende nuk mund të themi se e kemi gjetur rrugën tonë, formulën tonë shqiptare për të ardhmen e sigurt dhe të qëndrueshme të kombit shqiptar. Formulën që duhet t’i mësohet çdo shqiptari sapo lind, kudo që lind, dhe që transmetohet si një testament nga brezi në brez. Bota po ndryshon me shpejtësi. Rreziqe të mëdha u kanosen kombeve, shteteve dhe vetë njerëzimit si pasojë e ndryshimit të ekuilibrave ndërkombëtarë që po prishen dhe revolucionit teknologjik që po transformon çdo aspekt të jetës. Si gjithmonë në histori, kohët e ndryshimeve janë edhe kohë mundësish. Ku e gjejmë veten ne shqiptarët kur e shohim botën dhe njerëzimin nga optika e këtyre zhvillimeve? A duhet të kemi një narrativë të përbashkët unifikuese dhe, nëse po, a mund të themi se e kemi gjetur? Një gjë është të mendosh dhe të ndihmosh vendin tënd për nostalgji apo patriotizëm, dhe një gjë tjetër është të mendosh si bashkëudhëtar i historisë së re të kombit. Pikërisht këtu mendoj se fillon nevoja për një meditim kombëtar. Shqiptarët në diasporë janë qytetarë të vendeve ku jetojnë. Ata janë pjesë e natyrshme e zhvillimeve dhe sfidave të këtyre vendeve. Por të gjithë kanë me vete një copë Shqipërie. Ajo Shqipëri herë i ka bërë krenarë, herë i ka mërzitur, por ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë aty. Unë jam i bindur se kjo është gjëja më e bukur e çdo shqiptari në diasporë. Është një motiv që të mbush dhe të bën të realizohesh sa herë që e prek. Është një burim kujtimesh që, sa më shumë kalon koha, aq më të bukura bëhen. Çështja është si ta bëjmë atë pjesë Shqipërie jo vetëm një burim kujtimesh, por edhe një burim ëndrrash”, tha Peleshi.

FJALA E PLOTE
“Samiti i Diasporës është një ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Të flasim në Tiranë për lartësimin e shqiptarëve bën kuptim më shumë se asnjëherë më parë; sot që Shqipëria ndodhet në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian, familjen prej nga kemi rrënjët dhe prej nga buron identiteti ynë kombëtar.

Për më tepër, Shqipëria, vendi amë, po fiton sot një prestigj ndërkombëtar si promovuese e sigurisë dhe paqes, e vendosur në anën e drejtë të historisë. Sot që shqiptarët në rajon, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës janë pa dilema në krahun e europianizimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor, promotorë të stabilitetit, sigurisë dhe paqes.

Sot që shqiptarët, në vendet e origjinës dhe diaspora shqiptare në vendet pritëse dhe globalisht, janë afirmuar si kontribues të shoqërisë demokratike, të institucioneve dhe vlerave të saj. Shqiptarët në botë janë sot një shembëlltyrë suksesi. Ju nuk jeni më individët që ndihmuat familjet tuaja të mbijetonin, por një burim, faktor dhe partnerë të zhvillimit të vendit.Sipas të dhënave të përpunuara nga Partneriteti Global për Migrimin dhe Zhvillimin, një grup pune i Bankës Botërore, rezulton se Shqipëria renditet e 30-ta në botë, ndër 172 shtete, sa i përket peshës së remitancave në ekonomi.

Por kontributi i diasporës për Shqipërinë nuk janë vetëm miliarda euro që hyjnë në vit si remitanca nga emigracioni, e që për nga kontributi në GDP konkurrojnë e plotësojnë investimet e huaja. Kontributi i diasporës është edhe kapitali njerëzor, profesional, arsimor, kulturor, social e vleror që shqiptarët jashtë vendit rrezatojnë dhe sjellin në atdhe, në rrugë e forma të ndryshme. Shqiptarët nuk janë më komunitete emigrantësh që kërkojnë mbështetje, por qytetarë aktivë e të votuar si përfaqësues në jetën parlamentare e qeverisëse, qendrore e lokale, në vendet pritëse. Qindra e mijëra shqiptarë të diasporës së vjetër e të re janë pjesë e elitave kulturore, shkencore, sportive, e madje edhe politike në Europë, Shtetet e Bashkuara, Kanada e në plot vende të tjera. Përfaqësues të tyre na nderojnë edhe në këtë samit.

Po lexoja këto ditë se vetëm në Michigan të Shteteve të Bashkuara aktualisht tre shqiptarë kandidojnë për pozicione të larta përfaqësuese, në Kongresin Amerikan si edhe në qeverinë e shtetit.

Është detyra jonë, e Kuvendit, e qeverisë, institucioneve, shoqërisë civile e botës akademike, të ndërtojmë sinergji më efikase e të gjejmë rrugë të reja që këtë pasuri ta trupëzojmë më mirë në politikat dhe programet tona të zhvillimit. Ne kemi miratuar një legjislacion mbështetës dhe inkurajues për të drejtat e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, duke synuar lehtësimin e procedurave për shërbime publike, ruajtjen e gjuhës dhe të kulturës kombëtare, por edhe lehtësimin e integrimit të tyre në shoqëritë pritëse.

Në dhjetor të vitit 2025 miratuam ndryshimet e fundit në Ligjin për Diasporën, me të cilat synojmë që bashkëpunimin e shtetit shqiptar me komunitetet shqiptare jashtë vendit ta mbështesim në një legjislacion më të avancuar dhe më inkurajues.

Marrëveshjet me 15 qeveri të vendeve pritëse të emigrantëve shqiptarë për pensionet dhe të tjerat që presim të nënshkruajmë janë një masë e rëndësishme për garantimin e kushteve për jetesë cilësore dhe mirëqenie të komuniteteve tona që jetojnë jashtë vendit.

Madje, me ndonjë vend mik e partner si Italia, me ratifikimin e marrëveshjes mes dy qeverive në janar të vitit 2026, bashkëpunimi dypalësh për çështjet e diasporës është ngritur në nivelin e bashkëpunimit strategjik. Ne në Shqipëri kemi qenë dhe jemi të vetëdijshëm për asimetrinë që ishte krijuar mes të drejtave për shërbime konsullore, ruajtjen e gjuhës dhe kulturës, mbrojtjen nga shteti shqiptar, informimin e përfaqësimin, nga njëra anë, dhe mundësisë reale për të ushtruar të drejtat kushtetuese të shqiptarëve nga diaspora në vendin e tyre amë.

Legjislacioni për votimin nga jashtë, i miratuar në vitin 2024 dhe që filloi të zbatohej në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, krijoi mundësi dhe lehtësi praktike për të drejtën e tyre të zgjedhin e të zgjidhen në Kuvendin e Shqipërisë.

Pjesëmarrja e lartë e votuesve nga jashtë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit të vitit 2025 ishte një tjetër dëshmi e dëshirës, vullnetit dhe angazhimit të diasporës për të kontribuar në zhvillimet politike në Shqipëri.

Të nderuar miq, bashkëatdhetarë,
Megjithë këto zhvillime pozitive, ende nuk mund të themi se e kemi gjetur rrugën tonë, formulën tonë shqiptare për të ardhmen e sigurt e të qëndrueshme të kombit shqiptar. Formulën që duhet t’i mësohet çdo shqiptari sapo lind e kudo që lind, e që transmetohet kështu si një testament nga brez në brez.

Bota po ndryshon me shpejtësi. Rreziqe të mëdha i kanosen kombeve, shteteve dhe vetë njerëzimit si pasojë e ndryshimit të ekuilibrave ndërkombëtarë që po prishen dhe revolucionit teknologjik që po transformon çdo aspekt të jetës. Si gjithmonë në histori, kohët e ndryshimeve janë edhe kohë mundësish. Ku e gjejmë veten ne shqiptarët kur e shohim botën dhe njerëzimin nga optika e këtyre zhvillimeve? A duhet të kemi një narrativë të përbashkët unifikuese dhe, nëse po, a mund të themi se e kemi gjetur? Një gjë është të mendosh dhe ndihmosh vendin tënd për nostalgji apo patriotizëm dhe një gjë tjetër është të mendosh si bashkëudhëtar i historisë së re të kombit.

Pikërisht këtu mendoj se fillon nevoja për një meditim kombëtar. Shqiptarët në diasporë janë qytetarë të vendeve ku jetojnë. Ata janë pjesë e natyrshme e zhvillimeve dhe sfidave të këtyre vendeve. Por të gjithë kanë me vete një copë Shqipërie. Ajo Shqipëri herë i ka bërë krenarë, herë i ka mërzitur, por ka qenë e do të mbetet gjithmonë aty. Unë jam i bindur se kjo është gjëja më e bukur e çdo shqiptari në diasporë. Është një motiv që e mbush dhe e bën të realizohet sa herë që e prek. Është një burim i kujtimeve që, sa më shumë kalon koha, aq më të bukura bëhen.

Çështja është si ta bëjmë atë pjesë Shqipërie jo vetëm një burim kujtimesh, por edhe një burim ëndrrash. Ndryshimi i sistemit, me gjithë çorodinë shpirtërore që pasoi në këto dekada, na shtyu drejt zgjedhjeve individuale, por na dobësoi lidhjet njerëzore. Sot është momenti historik për një klimë të re shpirtërore. Shqipëria mund, duhet dhe ia vlen të jetë jo vetëm jeta juaj e shkuar, por edhe e ardhme.

Të mendojmë së bashku për të ndërtuar këtu mundësi pune, sipërmarrjeje dhe karriere për të gjithë shqiptarët në Shqipëri dhe në botë, që duan të jetojnë një jetë me mision.

Shqipëria ka vend dhe mundësi për të gjithë shqiptarët. Kthimi i diasporës në Shqipëri duhet të jetë narrativa jonë kombëtare.

Frymëzuar nga dashuria për Shqipërinë.
Nxitur nga mundësitë që ofron ky moment historik për Shqipërinë.
Mbështetur nga potenciali për të ndërtuar një histori suksesi që do të ndihmonte këtë komb të kapërcente kohën dhe të përqafonte të ardhmen.

Le ta fillojmë nga disa detyra imediate ku ka nevojë për të gjithë:
* të mbështesim intensivisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, duke përcjellë te bashkëqytetarët tuaj në vendet anëtare të BE të vërtetën tonë, vokacionin tonë historik perëndimor. Ata një ditë, jo larg nga sot, do të duhet të votojnë drejtpërdrejt apo përmes përfaqësuesve të tyre në parlamentet respektive për anëtarësimin e Shqipërisë në BE;
* të përsërisim në çdo takim, në çdo mjedis europian dhe botëror domosdoshmërinë e njohjes së plotë të Kosovës, anëtarësimit të saj në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe integrimit të saj në NATO e BE;
* të flasim pa u lodhur dhe me kokën lart për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës e Malin e Zi;
* të intensifikojmë bashkëpunimin parlamentar mes deputetëve shqiptarë në rajon;
* të unifikojmë botën akademike e të forcojmë lidhjet ndërmjet universiteteve shqiptare. T’i hapim universitetet tona për të përthithur kontributin e mijëra ekspertëve shqiptarë në diasporë. Vetëm në një program të Fondacionit Shqiptar-Amerikan për Zhvillim janë regjistruar 4000 PhD të gatshëm për të kontribuar;
* të forcojmë lidhjet ekonomike dhe të blejmë shqip.

Nëse togfjalëshi “Shqipëria, vendi i mundësive i 10 mln shqiptarëve” u mësohet fëmijëve kur lindin e përsëritet gjatë gjithë jetës, një ditë ai do të ndodhë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×