
Autoritetet Portuale të Korfuzit kanë arrestuar një kapiten shqiptar 45-vjeçar, pasi trageti i pasagjerëve që ai drejtonte rezultoi të kishte në bord më shumë pasagjerë sesa lejonte kapaciteti i miratuar.
Sipas autoriteteve greke, trageti, me flamur të Saint Kitts dhe Nevis, po kryente linjën nga një port në Shqipëri drejt portit të Korfuzit. Pas mbërritjes së mjetit lundrues, oficerët e Autoritetit Qendror Portual kryen një numërim të pasagjerëve, gjatë të cilit u konstatua se ishte tejkaluar numri maksimal i lejuar, në kundërshtim me certifikatën e lundrimit të anijes.
Për këtë arsye, kapiteni 45-vjeçar u vu në pranga dhe akuzohet për shkelje të Kodit të së Drejtës Publike Detare, si edhe të legjislacionit që rregullon trajtimin e rasteve të mbingarkesës me pasagjerë, si dhe procedurat për regjistrimin, kontrollin dhe inventarizimin e tyre.
Autoriteti Qendror Portual i Korfuzit ka nisur hetimin paraprak për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa paralelisht ka filluar edhe procedura për vendosjen e sanksioneve administrative të parashikuara nga ligji.
and then