
Ky është momenti kur Refit Buzi liroi ish-partneren e tij Rozalinda Plakën, të cilën e mbajti peng për 4 orë me radhë. 35-vjeçari e liroi ish-partneren me të cilën kishte pasur një marrëdhënie për afro 9 vite gjatë negociatave të zhvilluara nga Shefi i Stacionit të Policisë Roskovec, Mariglen Korroveshaj.
Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara ekskluzivisht nga News24, efektivi Korroveshaj negocion gjatë gjithë kohës me altoparlant me 35-vjeçarin, i cili qëndronte i ngujuar bashkë me Rozalinda Plakën në mjetin e tij. Pas disa orëve rezistencë, efektivi Korroveshaj afrohet drejt tyre, duke e këshilluar Buzin të mos i bënte keq vajzës, ndërsa një pjesë e negociatave është zbardhur nga gazetarja Xhensila Kodra.
PJESË E ZBARDHUR NGA NEGOCIATAT
MARIGLEN KORROVESHAJ: Vajzës mos i bëj keq!
BUZI: Nuk e liroj, mos u afro
KORROVESHAJ vijon negociatat: Do të zgjidhim gjithçka bashkë, ejani me mua!
BUZI: Eja merre vajzën këtu, po ta besoj ty…
Në këto momente, Shefi i Policisë së Roskovecit afrohet pranë tyre, merr vajzën në krahë dhe largohet, duke e lënë disa metra larg autorit dhe kthehet sërish drejt tij, për ta bindur të dorëzohet.
KORROVESHAJ: Gjërat do të rregullohen, lëre armën dhe eja me mua
BUZI: Largohu me vajzën, ik, unë do të rri këtu! Mos u afro ose do të vras veten!
Pas këmbënguljes së Buzit, shefi i policisë largohet me Rozalinda Plakën, e cila më pas u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Fierit, pasi ishte në gjendje të renduar psikologjike. Pavarësisht negociatave, 35-vjeçari nuk u bind, duke i dhënë fund jetës së tij rreth orës 16:35 të së premtes.
and then