
Roberto Mancini është zyrtarisht trajneri i ri i Kombëtares së Italisë. Pas javësh negociatash dhe diskutimesh, presidenti Giovanni Malagò i besoi sërish drejtimin e “Axurrëve” teknikut që i udhëhoqi drejt triumfit në Kampionatin Europian të vitit 2021.
Në prezantimin e tij, Mancini nuk e shmangu temën e largimit të bujshëm në vitin 2023, duke pranuar përgjegjësinë për atë që ndodhi.
“Tre vite më parë pati mungesë komunikimi mes meje dhe Gravinës. Për mua Kombëtarja ishte si të humbisja gruan e jetës sime. Falë Malagòs mora një mundësi të dytë dhe do të përpiqem ta shfrytëzoj në maksimum,” deklaroi trajneri italian.
Mancini bëri të ditur se synimi i tij është të rikthejë identitetin e Italisë që mahniti Europën, duke ndërtuar një skuadër sulmuese dhe duke u besuar futbollistëve të rinj. Sipas tij, futbolli italian vazhdon të prodhojë talente, por këta lojtarë kanë nevojë për më shumë minuta në fushë dhe më shumë besim nga klubet.
Tekniku theksoi gjithashtu se objektivi kryesor mbetet rikthimi i Italisë në Kupën e Botës, duke shprehur bindjen se, nëse arrin të kualifikohet, kombëtarja italiane mund të jetë pretendente për trofeun.
“Besoj se nëse Italia shkon në Botëror, atëherë do të bëhet një nga favoritët, edhe nëse në letër nuk konsiderohet e tillë. Objektivi është të ndërtojmë sa më shpejt një skuadër konkurruese,” u shpreh Mancini.
Trajneri italian foli edhe për repartin ofensiv, duke treguar besim te brezi i ri i sulmuesve.
“Shpresoj që Esposito, Kean dhe Retegui të arrijnë të shënojnë gjatë karrierës aq gola sa Immobile. Keanin e kam debutuar unë dhe e njoh shumë mirë. Nuk besoj se kemi probleme të mëdha në sulm,” përfundoi ai.
and then