“E bëra për t’u hakmarrë për vëllain tim” – Zbardhet dëshmia e 52-vjeçarit pas atentatit të dështuar në Elbasan: Para 15 vitesh Kërtezi e ka…

“E bëra për t’u hakmarrë për vëllain tim, të cilin e ka plagosur 15 vite më parë”. Kjo mësohet të jetë deklarata që Poli Boriçi, 52-vjeçari i arrestuar për atentatin e dështuar në Elbasan, ka dhënë përpara hetuesve.

Sipas dëshmisë së tij, sulmi ndaj 50-vjeçarit Ermir Kërtezi lidhet me një konflikt të vjetër mes dy familjeve. Boriçi ka pretenduar se Kërtezi kishte plagosur vëllain e tij rreth 15 vite më parë dhe se pasojat e asaj ngjarjeje kishin qenë të rënda, deri në paralizimin e tij.

Ky version pritet të jetë pjesë e hetimeve për zbardhjen e plotë të motivit të atentatit, ndërsa organi i akuzës po verifikon rrethanat e konfliktit të hershëm dhe nëse ai ka qenë realisht shkaku që e ka shtyrë 52-vjeçarin drejt sulmit.

Por përballë deklarimit të autorit të dyshuar qëndron versioni i vetë shënjestrës, Ermir Kërtezit. 50-vjeçari ka deklaruar se marrëdhëniet mes tyre ishin normalizuar prej vitesh dhe se dy familjet banonin pranë njëra-tjetrës, pa pasur konflikte gjatë rreth 15 viteve të fundit.

Pavarësisht pretendimit për një konflikt të hershëm, hetuesit po vijojnë punën për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes, motivin dhe mënyrën se si është organizuar tentativa e sulmit.

Boriçi u arrestua pas reagimit të shpejtë të Policisë, ndërsa ngjarja tronditi Elbasanin pasi 50-vjeçari Kërtezi u vu në shënjestër në një atentat që fatmirësisht nuk përfundoi me viktima.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive penale.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×