Forcimi i grave sipërmarrëse, Shqipëria i bashkohet nismës “WE Finance Code Albania”

Banka e Shqipërisë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) organizuan sot ceremoninë e lançimit të “WE Finance Code Albania – Kodi për Financimin e Grave Sipërmarrëse”, duke shënuar fillimin e një partneriteti kombëtar për të avancuar aksesin në financim për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (MSME) të drejtuara apo në pronësi të grave.

Ceremonia, e zhvilluar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u çel me fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe z. Francis Malige, Drejtor Menaxhues për Institucionet Financiare në BERZH.

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko e vlerësoi këtë nismë si një angazhim të rëndësishëm që synon të mbështesë zhvillimin e sipërmarrjes së grave, përmes një qasjeje të bazuar në të dhëna, bashkëpunimit institucional dhe veprimeve konkrete. Në Shqipëri, Banka e Shqipërisë ka marrë rolin e koordinatores kombëtare, duke udhëhequr ndërtimin e një ekosistemi të përbashkët të institucioneve publike dhe financiare që angazhohen për një treg financimi më gjithëpërfshirës.

Në vijim, Guvernatori vuri në dukje angazhimin e Bankës së Shqipërisë për ndërtimin e një sistemi financiar modern, përmes infrastrukturës financiare bashkëkohore, zgjerimit të aksesit në shërbimet financiare, forcimit të edukimit financiar, si dhe përmirësimit të cilësisë dhe përdorimit të të dhënave financiare.

Në përfundim, Guvernatori Sejko vlerësoi bashkëpunimin e të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë nismë dhe theksoi se suksesi i saj do të matet nga mundësitë reale që do të krijohen për gratë sipërmarrëse në vend.

Një nga rezultatet konkrete të nismës është krijimi i panelit analitik kombëtar të financimit të MSME-ve. Ky instrument krijon një bazë të re njohurie për tregun, duke bërë të mundur analizimin e integruar të informacionit mbi kreditë dhe depozitat me karakteristikat e bizneseve – si gjinia e pronësisë, madhësia e ndërmarrjes, sektori ekonomik, rajoni dhe forma juridike. Paneli do të jetë i aksesueshëm për publikun në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë dhe do të shërbejë si një instrument i ri për analizë, transparencë dhe vendimmarrje të bazuar në të dhëna.

Në vijim të ceremonisë u zhvillua një panel diskutimi me pjesëmarrjen e Zëvendësguvernatores së Dytë të Bankës së Shqipërisë, znj. Natasha Ahmetaj, dhe të përfaqësuesve të sektorit bankar dhe të institucioneve publike, ku u diskutua se si bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përdorimi i të dhënave mund të mbështesin zhvillimin e produkteve financiare më të përshtatshme dhe politikave më efektive për sipërmarrjen e grave.

Lançimi i “WE Finance Code Albania” shënon fillimin e një procesi afatgjatë, në të cilin institucionet nënshkruese do të punojnë së bashku për të përmirësuar cilësinë e të dhënave, për të monitoruar progresin dhe për të krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e sipërmarrjes së grave në Shqipëri.

Banka e Shqipërisë do të vijojë të kontribuojë, në përputhje me mandatin e saj, për një sistem financiar modern, të qëndrueshëm, efikas dhe gjithëpërfshirës, duke mbështetur zhvillimin e infrastrukturës financiare, cilësinë e statistikave dhe vendimmarrjen e bazuar në të dhëna.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×