
Juve gjen “shërim” në Europë, me ekipin e Spallettit që fiton dhe argëtohet përballë Nijmegen, pikërisht ajo që i duhej në një moment të vështirë, pas disfatës përballë Sassuolo-s. Sigurisht, ky nuk është një test i fortë, me holandezët që bën shumë pak për të bezdisur “Zonjën e Vjetët”, por 5 gola të shënuar në “Allianz Stadium” i japin qetësinë e duhur Spallettit për të përgatitur sfidën ndaj Atalanta-s në Serie A.
Sfida nisi me gol, që në minutën e 9-të, ku portieri Grabara dhuroi një assist perfekt për Nico Gonzales, me këtë të fundit që nuk fali duke kaluar Juven në avantazh. Në të 24-tën ishte radha e Alajbegovic, me talentin boshnjak që realizoi një gol shumë të bukur duke dyfishuar shifrat. Juve nuk e uli ritmin, me Nico Gonzalez që fitoi një penallti duke i dhënë shansin Woltemade të realizonte golin e tij të parë me fanellën bardhezi. Sulmuesi gjerman u tregua i saktë duke dërguar shifrat në 3-0 brenda pjesës së parë.
Historia e këtij takimi nuk ndryshoi as në fraksionin e dytë, por Spalletti hodhi në fushë edhe Kolo Muanin dhe ishte pikërisht sulmuesi francez që bëri protagonistin në minutat e mbetura. Fillimisht, në të 75-tën, Kolo Muani dhuroi një assist të pastër për Celik, me këtë të fundit që e kishte të lehtë të shtynte topin në portën e boshatisur. Pak minuta më vonë, Kolo Muani u shkëput shpejt, kaloi dhe portierin duke kompletuar “manitën” e golave.
Sigurisht, kjo fitore e pastër 5-0 kënaq trajnerin Spalletti: “Jam i lumtur, kjo edhe për faktin se u futëm në fushë me ide të qarta, larguam ato hije dyshimi që erdhën pas dy humbjeve, mbi të gjitha pas asaj kundër Sassuolo-n. Çfarë ndryshoi? Thjesht kishim nevojë të ishim më kompakt, të tregonim më shumë forcë dhe të linim më pak hapësira pas. Mendoj se duke parë se si shkoi kjo sfidë, mund të them se ndryshimet e bëra rezultuan të drejta”, u shpreh Spalletti në konferencë për shtyp.
and then