Jurgen Peqini është larguar nga Tërbuni. Sulmuesi ka vendosur që të vijojë karrierën tek AF Elbasani, ekip që militon në Kategorinë e Dytë.

E megjithatë, në klub pretendojnë se ka ikur pa leje. Lojtari kishte kontratë 2-vjeçare dhe këtë version e jep vetë trajneri Alert Alcani për “Panorama Sport”.
Teksa analizon fazën dhe flet për elementët në provë, ai thotë:
“Po bëjmë të pamundurën për të ndërtuar një ekip cilësor. Duhet përgëzuar drejtori Gjonaj, që po punon shumë fort për të afruar lojtarë të vlefshëm. Jurgen Peqini kishte kontratë 2-vjeçare me Tërbunin.
Ne nuk mbajmë me zor askënd, por kjo është një çështje që u takon drejtuesve për ta zgjidhur.
Unë u kam kërkuar lojtarëve disiplinë dhe rregull.
Prej ditësh na është bashkuar Elton Vata, që ka qenë pjesë e skuadrës së Kastriotit. Portieri do të hedhë firmën, por është shtyrë si procedurë, për mungesë dokumentacioni.
Një paraqitje të mirë po bën afrikani Babe, që e kemi pasur në vëzhgim.
Besoj se mund të jetë pjesë jona këtë sezon. Do zhvillojmë nesër (sot) një miqësore me Kastriotin dhe nuk do të jetë e lehtë, pasi është një ekip elitar. Jam i kënaqur që boshti i lojtarëve të sezonit të kaluar kanë rënë dakord për të qëndruar edhe këtë sezon. Në ndeshjen e nesërme (sotme), unë do të provoj të gjithë lojtarët e ardhur, por edhe ata ekzistues.
Merkatoja nuk do të mbyllet derisa të mbyllet faza përgatitore. Do të stërvitemi edhe disa ditë në Tiranë dhe pastaj do zhvendosemi në Pukë”.
DITMIR PEMA – Arena e Lajmit
Loading…
and then