Presidenti pret përmbysjen në Bosnje/ Rrezikojnë tre titullarë, Halili i jep edhe një shans ekipit

Presidenti i Tiranës do t’i japë edhe një shans skuadrës në sfidën e dytë me Zrinjskin. Numri një i bardhebluve mësohet të ketë kërkuar nga skuadra një “all in” në sfidën e dytë të enjten në Bosnjë. Sipas asaj që është bërë e ditur, Halili realisht për të dyja sfidat e Europës ka qenë i pakënaqur me atë që kanë dhënë lojtarët në fushën e lojës.

REFIK HALILI

 

Paçka se janë dhënë shumë para si premio, gjërat nuk është se kanë ndryshuar. Ama Halili kërkon që të mos prishë qetësinë e grupit dhe të vazhdojë me të njëjtin ritëm edhe për 90 minutat e Bosnjës. Më pas do të shihet se si do të shkojë situata.

KLUBI

Drejtuesit e Tiranës këto ditë kanë parë me kujdes se çfarë nuk shkon në skuadër. Janë bërë analiza të ndryshme, ndërsa natyrshëm ka nga ata që e kanë kaluar klasën dhe të tjerë që kanë mbetur e që janë një zhgënjim i madh. Si fillim, Qefalija mund të jetë njeriu i së ardhmes, duke u paraqitur shumë mirë në fushë për aq sa ka luajtur. Zhgënjimi ka qenë nga lojtarët titullarë dhe vendimtarë të sezonit të shkuar: Limaj, Toshevski, Ismajlgeci, Totre apo edhe De Silva. Askush nuk i jep shpjegim përse këta lojtarë janë paraqitur dobët në Europë. Nga ana tjetër, gjithçka është lënë në ajër, por mungesa e kaq lojtarëve është shumë e madhe, sepse sido që të shkojë, janë gjysma e skuadrës.

KAMPIONATI

Kuptohet që me këtë gjendje Tirana duhet të marrë lojtarë të tjerë. Në fillim është sulmi që duhet të plotësohet dhe më pas repartet e tjera. Bomberi është emergjent, ndërsa duhet të zëvendësohet Totre dhe lojtarë të tjerë që mund të largohen. Problemi më i madh i Shehit është mbulimi i sulmit nëse largohet edhe Taulant Seferi.

STËRVITJA

Tirana ka nisur përgatitjet për sfidën me Zrinjskin. Në fushë doli skuadra, duke përfshirë edhe Enur Totren. Ishte lënë jashtë Taulant Seferi për arsye personale, sepse i ishte lënë më shumë kohë për të pushuar. Për t’u parë gjendja e treshes Xhixha, Ismajlgeci dhe Qefalija, të cilët patën shqetësime në sfidën e fundit. Dy të parët me muskujt e barkut dhe rrëzët e kofshëve, ndërsa i treti me probleme në këmbë. Mbetet për t’u parë se si do ta ndërtojë ekipin këtë herë trajneri Orges Shehi.

OLSI AVDIAJ-Arena e Lajmit


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×