Që nga dje Milani ka vijuar grumbullimin në Itali, pas një qëndrimi 4-ditor në Austri. Tani e tutje Pioli me grupin do të punojnë vetëm në qendrën stërvitore të “Milanello”-s, nga ku Pier Kalulu ka dhënë një intervistë për televizionin e klubit.

Si një nga më të mirët në këto dalje të para sezonale, francezi ofron garancinë në rolin e qendërmbrojtësit dhe do të jetë titullari i Milanit në krah të Fikajo Tomorit.
Rritja juaj po i habit të gjithë sepse vijon të jetë e shpejtë…
Mund të duket e tillë, por për mua ka qenë krejt e kundërta. Më duket sikur jam vonuar të shpreh cilësitë e mia. Nuk është mendjemadhësi, por realisht pres shumë nga vetja.
Çfarë do t’i këshillonit një moshatarit tuaj me ambicie?
Që të mos reshtë kurrë së besuari. Kur je i ri duhet të bësh gjithçka që është e mundur për të qenë në këto nivele. Nevojitet punë, por nuk duhet që objektivi të kthehet në stres. Fundja, fusha të jep atë që meriton.
Çfarë prisni nga sezoni i ri?
Ne po përgatitemi në mënyrën më të mirë. Shumë gjëra nuk janë ende në nivelin e duhur, por nuk është problem. Fundja duhet të jemi gati më 13 gusht, ndaj le t’i shfrytëzojmë javët e mbetura. Nga sezoni pres shumë sepse të gjithë pretendojmë më tepër.
Mendoni se mund të siguroni përsëri titullin?
Vjet e fituam me meritë, por sivjet ka akoma më shumë rëndësi. Jemi i njëjti grup që është rritur në cilësi e përvojë, por jemi gjithashtu të vetëdijshëm se do ta kemi edhe më të vështirë. Dëshirojmë të bëjmë figurë të mirë edhe në Champions.
Po nga vetja çfarë prisni?
Që të rritem sa më shumë në aspekte të ndryshme. Synoj të jem më i aftë teknikisht, mendërisht e sidomos në fushën e lojës.
I druheni faktit se Botërori mund të ndikojë më shumë sesa duhet në ecuri?
Jam optimist nga natyra dhe e di që do të jetë një turne i bukur për të gjithë. Do të ketë shumë ndeshje e për pasojë edhe më tepër lodhje, por do të jetë argëtues për dashamirësit e futbollit. Këtë herë Botërori do t’i ketë lojtarët në kulmin e formës së tyre sepse zhvillohet në mes të sezonit të rregullt.
Si ju duket Jasin Adli?
Do ta ketë më të lehtë kur të nisë të flasë lirshëm italisht me të gjithë. Sidoqoftë, në ekip ka shumë pika referimi për të sepse jemi një grup që flasim frëngjisht. Në Itali kultura e punës ndryshon krahasuar me Francën, por ai po bën më të mirën për t’u përshtatur me gjithçka.
Ku mund të mbërrijë ky Milan?
Nuk na mungon besimi e jemi të bindur se mund të bëjmë gjëra të mëdha. Jemi si një familje, flasim shumë me njëri-tjetrin dhe në fushë e kemi më të lehtë të bëjmë gjërat e duhura. Milani mund të mbërrijë larg dhe ne do të bëjmë gjithçka për të realizuar objektivat.
Arena e Lajmit
and then