Lojtari universal që i duhej Bajernit, Mane shënon në çdo kompeticion

Sadio Mane është kthyer në një nga protagonistët kryesorë në “Allianz Arena”, duke mahnitur me paraqitjet e tij jo vetëm drejtuesit dhe tifozët e Bajernit, por edhe shtypin europian në këtë fillim sezoni. Në ndeshjen e fundit për ekipin e ri, senegalezi ka kompletuar “Manitën” në 6 ndeshjet e para me fanellën e bavarezëve.

Mane

 

Goli ndaj Viktoria Këln, e vlefshme për raundin e parë të Kupës së Gjermanisë, nuk do të sillte ndonjë kuriozitet, por ecuria e 30- vjeçarit po. Ai tashmë ka shënuar gol në çdo kompeticion me ekipin nga Mynihu. Mane e bëri sefte në Superkupën e Gjermanisë përballë Lajpcingut, duke vazhduar në sfidat ndaj Frankfurtit dhe Bohumit dhe tashmë nuk mund të linte pa shënuar emrin mes protagonistëve edhe në Kupë. Afrimi i fituesit të dy “Topave të Artë” afrikanë, u pa me skepticizëm të madh nga ana e tifozerisë vendase, duke marrë në konsideratë moshën e tij, gjithashtu edhe detyrën e vështirë, zëvendësimin e goleadorit Robert Levandovski.

Askush nuk mund ta besonte se Sadio do të mbante peshën e golave dhe shtysën e polakut, pasi edhe pozicionimi në fushë i të dyve është krejtësisht i ndryshëm. Gjithsesi, sulmuesi senegalez mbase nuk mund të arrijë kuotën e 41 golave në një sezon, po shpirtin e garës dhe frymën pozitive e ka treguar. Madje një pjesë jo e vogël e meritës së kësaj makinerie shtypëse në Gjermani me emrin Bajern, e ka edhe ky “plakush”, i cili ka rrëmbyer zemrat e kujtdo që dashuron futbollin dhe përulësinë.

SAIMIR MBËRSI-Arena e Lajmit


Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×