VIDEO/ 24 orë me Policinë Rrugore në Tiranë, “jeshilët” në ‘luftë’ me Masseratin te Unaza në Farkë

872c7aa1 6beb 4db8 B3e8 E807c2579c00

Aksidentet e automobilistike në vendin tonë fatkeqësisht kanë pasur një trend rritjeje.

Shkaku është i vështirë për t’u përcaktuar pasi ka shumë arsye, duke nisur nga niveli i sigurisë që kanë rrugët tona, por mund të themi se një pjesë e madhe e drejtuesve të mjeteve nuk njohin sinjalistikën rrugore apo rregullat e qarkullimit rrugor, në mos më keq nuk i zbatojnë ato.

Për të vërtetuar këtë e nisëm vëzhgimin tonë në Unazën e Madhe Lindore në Farkë që të çon te mbikalimi i TEG-ut, një aks problematik, aty ku ndodhi edhe aksidenti i rëndë, ku për pasojë humbën  jetën tre të rinj.

Ajo që konstatuam ishte se edhe pse pas aksidentit tragjik të 9 marsit, drejtuesit e automjeteve nuk ndërgjegjësohen.

Fillimisht dislokohemi në unazën lindore për të vëzhguar nga afër, kur për pak minuta një makinë luksoze tip “Maserati” kalon me shpejtësi skëterrë tej normave të lejuara.

Shërbimet e policisë rrugore menjëherë ndjekin nga pas mjetin luksoz dhe arrijnë ta ndalojnë pas pak minutash ndjekjeje.

Siç duket edhe nga pamjet shpejtësia e mjetit është tej normave të lejuara, madje bën edhe manovra gjatë lëvizjes deri në momentin që ndalohet nga policia.

Drejtuesi i “Maseratit” gjobitet për “mosrregullim shpejtësie”, i pezullohet leja e drejtimit, si dhe i bllokohet automjeti pasi ishte debitor edhe me disa masa të marra më parë.

Automjeti u dërgua në komisariatin e policisë rrugore në Tiranë në pikën e bllokimit.

Më pas vëzhgimi ynë do të vijojë në rrugët në brendësi të kryeqytetit. Zhvendosemi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku shërbimet e policisë rrugore konstatojnë një automjet që kalon rrugën tek semafori ka ndezur dritën e kuqe duke rrezikuar përplasjen me mjetet e tjera.

Pas disa metrash në ndjekje me makinë civile, efektivët e policisë rrugore arrijnë ta ndalojnë dhe të marrin masat administrative ndaj drejtuesit të mjetit.

Më pas shkojmë në rrugën e Kavajës, aty ku ndeshemi më një sërë shkeljesh nga drejtuesit e mjeteve.

Kontrolle bëhen edhe për autobusët urbanë si dhe ndaj mjeteve te tonazhit të rëndë. Testohen për alkool drejtuesit e autobusëve, por nuk konstatohet asnjë rast i konsumimit të alkoolit.

Një autobus gjobitet nga policia dhe i bllokohet leja e qarkullimit pasi autobusi nuk ka bere kontrollin teknik, kolaudimin. Gjithashtu bëhen kontrolle edhe për gjendjen e gomave të autobusëve apo mjeteve të tonazhit të rëndë.

Vëzhgimin e vijojmë më tej duke u zhvendosur te rreth-rrotullimi i “Zogut të zi” ku konstatojmë se shumica e drejtuesve të automjeteve nuk respektojnë vizat e bardha ku kalojnë këmbësorët. Sjellim disa raste ku drejtuesit e mjeteve kapen nga shërbimet e policisë dhe gjobiten për mosdhënie përparësi ndaj qytetarëve.

Një vëzhgim bëjmë edhe në kryqëzimin e rrugës “Sulejman Delvina” me rrugën që të çon drejt komunës së Parisit ku konstatojmë një sërë shkeljesh të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e mjeteve si mosvendosje e rripit të sigurimit dhe përdorim të celularit. Edhe pse policia është prezente, drejtuesit e mjeteve nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe gjobiten për çdo shkelje që kryejnë.

Duke bërë një bilanc konstatojmë që gjatë gjithë ditës ndeshemi me shumë shkelje të drejtuesve të mjeteve në kryeqytet.

Por problematikat më të mëdha të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor konstatohen gjatë natës, sidomos në orët e vona. Shërbimet e policisë rrugore të Tiranës mblidhen në Sheshin Nënë Tereza, ku marrin edhe instruksionet sipas rregullave dhe shpërndahen në të gjithë rrugët e kryeqytetit.

Vëzhgimin e nisim në zonat më të frekuentuara të kryeqytetit si në rrugën Abdyl Frashëri, rrugën Suljeman Delvina dhe Ibrahim Rrugova, ku konstatohen nga shërbimet e policisë rrugore shkelje të shumta të drejtuesve të automjeteve, si xhama të zinj të riveshur, marmitat sportive, mospozicionim në karrexhatë, mosdhënie përparësie të mjeteve dhe parkime te gabuara.

Drejtuesit e mjeteve gjobiten sipas nenit përkatës te kodit rrugor që kanë shkelur. Ka edhe nga ato raste, kur drejtuesit e automjeteve pasi konstatohen nën efektin e alkoolit nuk pranojnë të bëjnë testin e drogës.

Një rast të tillë e ndeshim në zonën e “Sheshit Willson”, ku një drejtues mjeti i ndaluar për xhama të zinj te riveshur pa leje, mosrregullim shpejtësi, i cili rezultoi edhe nën efektin e alkoolit, nuk pranon të bëjë testin e drogës.

Më pas policia rrugore pasi i vendos prangat të riut, kërkon shërbimet mbështetëse të cilët vijnë dhe bëjnë shoqërimin e drejtuesit dhe mjetit të tij drejt komisariat ku edhe i nënshtrohet testit të lëndëve narkotike shoferi i ndaluar për disa shkelje.

Kontrollet vijojnë në të gjitha rrugët e kryeqytetit dhe konstatohen shumë drejtues mjetesh që shkelin rregullat dhe gjobiten nga policia rrugore e Tiranës.

Më pas zhvendosemi në rrethrrotullimin e TEG-ut dhe në Unazën e Madhe të Tiranës në rrugën që të çon te pallati me shigjeta. Besmiri sinkron

Gjatë patrullimit konstatohet një mjet me shpejtësi tej normave të lejuara. Policia bën veprimet procedurale konform ligjit dhe i vendos masë administrative drejtuesit të mjetit.

Pasi përfundojmë në këtë aks rrugor, vëzhgimin e vijojmë në zonën e ish-Bllokut, një zonë që frekuentohet shumë gjatë orëve të natës, sidomos nga të rinjtë.

Në këtë zonë ndeshemi me një sërë shkeljesh të drejtuesve të mjeteve, të cilat i ndjekim pa koment. Aksioni vijon deri pas mesnate në të gjitha rrugët e Tiranës. Më pas rreth orës 1 pas mesnate, shërbimet e policisë rrugore dislokohen sërish në Sheshin Nënë Tereza për t’u njohur me instruktazhin e radhës.

Pasi marrin instruktazhin, shërbimet e policisë rrugore Tiranë vendosen në disa pika kyçe në rrugët e kryeqytetit për të nisur testet e alkoolit dhe të lëndëve narkotike ndaj drejtuesve të automjeteve.

Shënon ora 1 e 30 pas mesnate , konstatohet një automjet që kalon me semafor të kuq në urën pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Drejtuesit të mjetit i pezullohet patenta dhe i vendoset gjobë sipas shkeljes që ka kryer.

Rezulton që nuk është nën efektin e alkoolit. Pak minuta më vonë konstatohet një tjetër mjet për mos-rregullim shpejtësie në rrugën te ura e Tajvanit. Drejtuesit te mjetit i bëhet testi i alkoolit dhe drogës.

I riu nuk rezulton nën efektin e alkoolit dhe të lëndëve narkotike, gjobitet vetëm për mosrregullim shpejtësie.

Zhvendosemi në një pikë tjetër ku janë vendosur shërbimet e policisë për kryerjen e testeve të alkoolit dhe të drogës.

Në rrugën Muhamet Gjollesha, për më shumë se dy orë testohen drejtuesit e mjeteve për alkool dhe lëndë narkotike.

Një risi që aplikon në më shumë se një viti policia rrugore është vëzhgimi i videove që publikojnë të rinjtë në rrjetet sociale, të cilat policia i pikas dhe më pas merr edhe masat.

Vijojmë patrullimin deri në orët e para të mëngjesit, ku nis edhe dita e re në kryeqytet.

Fatmirësisht në 24 orë që vëzhguam dhe pamë me detaje gjithë rrugët e Tiranës, nuk ndodhi asnjë aksident, por masat administrative që u vendosën ishin të shumta dhe kuptuam që ne si qytetarë kulturën e respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor nuk e zotërojmë siç duhet.

Nga shërbimet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë për 24 orë u vendosën në total 1,704 masa administrative nga të cilat, 15 masa për përdorim alkooli, 137 masa për shpejtësi mbi normat e lejuara, matur me radar, 119 masa për përdorim të aparatit të celularit. 86 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 22 masa për xhama të zinj te riveshur, 66 masa për parakalime të gabuara, 27 masa për mospërdorim të kaskës mbrojtëse/jelekut fosforeshent. 56 masa për mosdhënie përparësi qytetarëve, 9 masa për mosrregullim shpejtësie, 3 masa për siguracion. 3 masa për mosdhënie përparësie të mjeteve, 6 masa për kontroll teknik, 4 masa për mospozicionim në karrexhatë, 18 masa për tabelën Stop, 28 masa për mosrespektim të orarit të qarkullimit për mjetet ATP dhe transport mallrash, pjesa tjetër masa të ndryshme si parkime te gabuara, mosrespektim të sinjalistikës rrugore, etj.

Për 24 orë u arrestuan 5 persona për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, gjendje të dehur, 1 person i arrestuar për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, pa leje drejtimi, 1 person i arrestuar për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyre të parregullt”, nën efektin e lëndëve narkotike, 1 person i proceduar në gjendje të lirë për veprën penale ” Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Në 24 orë nga shërbimet e policisë Rrugore Tiranë u bllokuan 8 mjete me karotrese/debitor dhe 22 leje qarkullimi të tërhequra për detyrime të palikuiduara.

Pra qëndruam, pothuajse 24 orë me policinë rrugore te Tiranës dhe u njohëm me zonat më problematike ku shkelen më shumë rregullat e qarkullimit rrugor, shkelja e të cilave sjell edhe pasoja të rënda deri në fatalitete tragjike, siç ishte rasti i fundit ku tre të rinj humbën jetën pasi automjeti ra poshtë mbikalimit.

Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×